Letra/ Pavarësia e Kosovës, Biden uron Osmanin: Marrëveshja me Serbinë, të jetë e përqendruar te njohja reciproke

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpërndarë në rrjetet sociale urimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për ditën pavarësisë së Kosovës, ku është theksuar mbështetja e SHBA-së si partner i palëkundur i Kosovës.

Në letrën e bërë publike nga Osmani, Bideni ka thënë se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm gjatë 14 vjetëve të pavarësisë së saj.

Ai madje ritheksoi mbështetjen e SHBA-së në përpjekjet e vendit për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke.

“Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe të forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet tuaja drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke”.

Në këtë letër, Bideni ka përsëritur faktin e lidhjes së veçantë të cilën familja Biden e ka me Kosovën.

Sipas tij, në Samitin për Demokraci, Kosova ka dëshmuar se është e gatshme ta ndajë përvojën me shtete të tjera, ndaj thekson se gjatë këtij viti, Kosova vazhdimisht ka treguar lidership në arenën ndërkombëtare.

Presidenti i SHBA-së ka theksuar edhe lidershipin që ka treguar Kosova në skenën ndërkombëtare, duke përmendur strehimin e sigurt ndaj popullit afgan, deri të forcimi i sigurisë globale dhe bashkëvendosja përkrah ushtrisë amerikane në Kuvajt.

“Ndërsa përballemi së bashku me pandeminë COVID-19, jam i kënaqur që Shtetet e Bashkuara patën mundësi të ofrojnë këtë muaj edhe gjysmë milioni doza të sigurta e efektive të vaksinës COVID-19 për të mbrojtur dhe ndihmuar Kosovën në ringjalljen nga pandemia”, ka shtuar ai.

Për këto fjalë që Bideni i drejtoi për Osmanin, kjo e fundit ka thënë se Kosova është e bekuar ta ketë në krah aleatin e saj të përhershëm, SHBA-në.

“Jam e lumtur ta ndaj me ju urimin e Presidentit Biden për ditën e pavarësisë së Kosovës – 17 shkurtin, në të cilin ai potencon se Shtetet e Bashkuara mbesin partner i palëkundur i Kosovës. Kosova është e bekuar ta ketë në krah aleatin e saj të përhershëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Zoti e bekoftë miqësinë e Kosovës me ShBA-të!”, ka shkruar ajo./ Koha

 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT