‘Lufta’ me ambasadoren/ Presidenti zbulon prapaskenat, u ankua në Shtëpinë e Bardhë ndaj Yuri Kim

Presidenti Ilir Meta ka zbuluar se është ankuar zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë në lidhje me deklarimet e ambasadores amerikane Yuri Kim gjatë periudhës zgjedhore dhe më herët. Këtë Meta e ka zbuluar në përgjigjen e dhënë për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, duke nisur kështu një luftë me diplomaten amerikane.

“Presidenti i Republikës kurrë nuk ka marrë asnjë shqetësim zyrtar nga asnjë partner ndërkombëtar për sjelljet apo aktet e tij. Presidenti, shqetësimet e tij për sjellje jo korrekte të diplomatëve të caktuar, ua ka shprehur zyrtarisht atyre, duke vënë në dijeni po zyrtarisht edhe vendet apo organizatat që ata përfaqësojnë”, thuhen në shkresën e presidentit drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Më tej në përgjigje të pyetjes mbi akuzat ndaj diplomatëve të huaj, Meta ka akuzuar në mënyrë indirekte ambasadoren se nuk ka respektuar marrëveshjen politike të 5 qershorit.  “Presidenti i Republikës i ka tërhequr vëmendjen çdo diplomati që nuk e nderoi respektimin e marrëveshjes 5 qershorit 2020, por me deklarata publike i dhanë alibi mazhorancës për të bërë ndryshime të njëanshme të marrëveshjes së 5 qershorit (ky ishte dhe burimi kryesor i tensionit dhe mosbesimit të palëve në prag të zgjedhjeve)”, thekson Meta.

Përplasje mes Metës dhe Yuri Kim kanë qenë të forta përpara zgjedhje dhe ato arritën kulmin kur presidenti kërkoi që “të merrnin, sfurqet dhe kosoret për të mbrojtur votën e lirë”. Kim nga ana e saj kërkoi që të dënohej një deklaratë e tillë.  ” Është e papranueshme për këdo që të kërcënojë se qytetarët do të marrin “sfurqet” në 25 Prill ose nëse nuk u pëlqen rezultati i zgjedhjeve. Këto kërcënime meritojnë dënim. Ata që nxisin dhunë do të mbajnë përgjegjësi për rezultatet e fjalëve dhe veprimeve të tyre. Ndal”, do të reagonte  Kim.

Por Meta reagoi ashpër duke i treguar mesazhet në telefon të ambasadores. “Meqë më dërgoi live sms i them Ambasadores Amerikane mos e mbështet më Edi Ramën. Meqë jam transparent po ju them edhe një fakt qe Ambasadorja Amerikane më ka kërkuar mua si President, një ditë para mbledhjes së KED-së të pranoj unë Adrian Dvorani. Këtë ajo e kërkoi jo në emër të Amerikës, po në emër të Edi Ramës. E përqafoj ambasadoren amerikane dhe i them boll ndërhyre në punët e brendshme te Shqipërisë në këtë mënyrë të njëanshme. Donte të futej në lojë kjo, ta bëjmë lojën tamam ne. Më ka marrë në telefon se kisha bërë letër unë se donin ta fusnin prapë në KLD këtë Dvoranin. Edhe i them unë “thirrini mendjes se ky nuk është as në KLGJ, dhe ky është edhe me Venecian etj, etj”. Nuk do ta botoja letrën në orën 11 se nuk doja të ndërhyja në një vendim të organeve të drejtësisë. Ajo më merr në telefon dhe më thotë “ti zotëri nesër mos bëj zhurmë po qe se këta e bëjnë kështu”. I them “moj zonjë ne kemi bërë një marrëveshje, se ky nuk është as anëtar i gjykatës së Lartë”. “Po ne dimë disa gjëra për ty”, më thotë mua kjo. Ambasadorja i thotë presidentit që dimë ca gjëra për ty. Çfarë dini për mua i nxirrni i thashë, se unë nuk e shkel Kushtetutën. Çfarë ke ti për mua dhe çfarë ka Amerika për mua mund ta nxirrni dhe unë këtë vagabond dhe horr nuk e pranoj. Janë I kam thënë që nëse keni gjë me mua më lajmëroni nëse e keni se unë e di që ju më vrisni nëse doni. Por të paktën, më çoni te Mali me Gropa dhe më lëshoni një raketë që të mos dëmtoni njerëzit e tjerë”, tha Meta në intervistë televizive.

Pyetja

Gjithashtu, a mendoni se akuzat ndaj përfaqësuesve të misioneve diplomatike bërë në daljet tuaja publike në media apo rrjetet zyrtare e sociale si të korruptuar apo ato për rrezikun e integritetit tuaj fizik kanë bazë faktike dhe nëse po, a keni bërë denoncim në organet përkatëse?

Në vijimësi dhe në mënyrë të veçantë gjatë periudhës zgjedhore, Presidenti i Republikës ka pasur dhe ka një komunikim të shkëlqyer me misionet diplomatike dhe institucionet ndërkombëtare.

Ky komunikim është i evidentuar edhe në provat që kemi dorëzuar dhe kanë qenë me shkrim, nëpërmjet dokumenteve të shumtë zyrtare dorëzuar atyre, si dhe takimeve po zyrtare.

Komunikimi është ndërtuar gjithmonë bazuar në respektim të plotë të Kushtetutës, të ligjeve në fuqi, të sovranitetit dhe reciprocitetit. Presidenti i Republikës ka refuzuar prerë çdo lloj ndërhyrjeje apo qëndrimi publik nga diplomatë të veçantë, të cilët në mënyrë direkte apo të nënkuptuar, kanë mbështetur shkeljet dhe shkelësit e Kushtetutës, shkeljet e njëanshme të marrëveshjes së 5 qershorit 2020, shkeljet e ligjit, marrjen nën mbrojtje të personave nën hetim, dhe cenuesit e integritetit të institucioneve të pavarura (rasti “Dvorani”, por jo vetëm).

Presidenti ka refuzuar prerë çdo ndërhyrje nga aktorë të veçantë të trupës diplomatike, që kanë vepruar në shkelje të hapur të statusit të tyre diplomatik dhe Konventës së Vjenës, duke guxuar t`i diktojnë Presidentit të Republikës se si ai duhet të nxjerrë aktet e tij kushtetuese, edhe duke shkelur Kushtetutën dhe degraduar procesin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, për të pranuar në heshtje rrëmbimin flagrant të kompetencave të Kreut të Shtetit, me pasojë kapjen e Gjykatës Kushtetuese, dhe jo vetëm.

Presidenti i Republikës është përballur edhe më parë me ndërhyrjet ilegjitime të disa diplomatëve të caktuar, edhe në procesin e ndërtimit të institucioneve të drejtësisë, bllokimin e pajustifikueshëm të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, emërimin antikushtetues me 69 vota të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, apo për veprimet manipuluese dhe jo transparente të ish kreut të KED-së lidhur me emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Përballë qëndrimit parimor dhe kushtetues të Presidentit të Republikës, këta diplomatë janë tërhequr dhe kjo ka qenë provë e padiskutueshme e principialitetit të Presidentit të Republikës në çdo situatë.

Presidenti i Republikës ka një marrëdhënie zyrtare plotësisht të dokumentuar dhe tejet konstruktive me partnerët kryesorë të vendit tonë, e në veçanti për Reformën në Drejtësi, sidomos me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe Britaninë e Madhe.

Këta partnerë gjithmonë janë informuar në kohë, zyrtarisht dhe shkresërisht nga Presidenti i Republikës për përpjekjet e ethshme të qeverisë dhe mazhorancës për kapjen e sistemit të drejtësisë, e sidomos të Gjykatës Kushtetuese, në dhunim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Presidenti i Republikës ka bërë gjithçka për të parandaluar konfliktet publike të cilat ndodhën midis Presidentit dhe Kuvendit, apo KED-së dhe qeverisë, për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilat mund të ishin shmangur plotësisht nëse Presidenti nuk do të ishte vënë para fakteve të kryera, që i kishte paralajmëruar disa herë e në mënyrë të përsëritur se nuk do t`i toleronte.

Presidenti i Republikës i ka tërhequr vëmendjen çdo diplomati që nuk e nderoi respektimin e marrëveshjes 5 qershorit 2020, por me deklarata publike i dhanë alibi mazhorancës për të bërë ndryshime të njëanshme të marrëveshjes së 5 qershorit (ky ishte dhe burimi kryesor i tensionit dhe mosbesimit të palëve në prag të zgjedhjeve).

Presidenti i Republikës kurrë nuk ka marrë asnjë shqetësim zyrtar nga asnjë partner ndërkombëtar për sjelljet apo aktet e tij. Presidenti, shqetësimet e tij për sjellje jo korrekte të diplomatëve të caktuar, ua ka shprehur zyrtarisht atyre, duke vënë në dijeni po zyrtarisht edhe vendet apo organizatat që ata përfaqësojnë. 

Presidenti i Republikës nuk ka ndërhyrë kurrë në kompetencat e asnjë përfaqësie diplomatike dhe të asnjë vendi partner, por për fat të keq, ka patur diplomatë të caktuar që publikisht kanë vënë në diskutim dekretet e Presidentit, duke marrë hapur anën e mazhorancës në kapjen e sistemit të drejtësisë, e sidomos të Gjykatës Kushtetuese. Janë të njohura opinionet e Komisionit të Venecias për këto çështje, ku të gjitha aktet e Presidentit janë vlerësuar të drejta, legjitime, të arsyeshme, dhe janë evidentuar qartë edhe shkaktarët e këtyre konflikteve.

Ky pozicion i Presidentit të Republikës nuk do ndryshojë absolutisht, as edhe një milimetër, edhe në të ardhmen, pasi zbatimi i Kushtetutës, interesit kombëtar dhe interesit të shqiptarëve, janë të shenjta dhe të paprekshme nga asnjë aktor vendas apo i huaj.

Përpos këtyre fakteve, lutemi studioni me vëmendje kreun e III-të, faqe 11 deri në faqen 83, të qëndrimit të Presidentit, dorëzuar që në datën 1 korrik 2021.
Në përfundim, nëse kjo pyetje e relatorit është ngritur bazuar mbi pretendimet e Kuvendit, sa më sipër keni përgjigjen shteruese.

Por nëse si Gjykatë Kushtetuese, keni ndonjë pretendim zyrtar nga ndonjë vend partner, apo përfaqësi e huaj në vendin tonë lidhur me sjellje jo korrekte të Presidentit të Republikës, lutemi të na e bëni me dije dhe do ju vëmë në dispozicion materiale plotësuese për të sqaruar Gjykatën Kushtetuese.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT