Lufta Rusi-Ukrainë/ Presidenti i Kinës bisedë telefonike me Putin, çfarë u diskutua

Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi të premten një bisedë telefonike me homologun e vet rus, Vladimir Putin. Të dy liderët shkëmbyen mendime mbi gjendjen në Ukrainë.

Kreu i Kremlinit foli për historinë e çështjes ukrainase, si dhe për gjendjen dhe qëndrimin e Rusisë përsa i përket operacionit të posaçëm ushtarak në Ukrainën Lindore.

Putini tha se ShBA-ja e NATO-ja shpërfillën shqetësimet e ligjshme të sigurisë të Rusisë, shkelën premtimet dhe vazhduan zgjerimin ushtarak drejt Lindjes, gjë që sfidoi vijën e kuqe strategjike të Rusisë. Ai shtoi se pala ruse është e gatshme të zhvillojë bisedime të nivelit të lartë me palën ukrainase.

Presidenti Xi Jinping, nga ana e tij, vuri në dukje se ditët e fundit, gjendja në Ukrainën Lindore ka ndryshuar në mënyrë dramatike, gjë që ka tërhequr vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare.

Qëndrimi i Kinës varet nga të drejtat dhe të gabuarat e vetë çështjes ukrainase. Sipas presidentit, duhet të hiqet dorë nga mendësia e Luftës së Ftohtë dhe të respektohen shqetësimet e arsyeshme të çdo pale.

Po ashtu, është e nevojshme që të arrihet një mekanizëm i ekuilibruar, i qëndrueshëm dhe i efektshëm për sigurinë europiane.

Pala kineze mbështet palën ruse dhe palën ukrainase në zgjidhjen e çështjes nëpërmjet negociatave.

Kina gjithmonë respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha vendeve, si dhe qëllimet e parimet e Kartës së OKB-së, theksoi Xi Jinping-u.

Pala kineze, vijoi më tej ai, është e gatshme të mbështetë me të tëra palët e bashkësisë ndërkombëtare një koncept të përbashkët, gjithëpërfshirës, bashkëpunues dhe të qëndrueshëm të sigurisë, si edhe të ruajë me vendosmëri sistemin ndërkombëtar me OKB-në në qendër dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në ligjin ndërkombëtar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT