Meta firmos dekretin/ Gent Sejko për herë të dytë Guvernator i Bankës së Shqipërisë, tani votimi në Parlament

Presidenti Ilir Meta ka firmosur dekretin për të rizgjedhur si Guvernator të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejkon. Ky është vendimi më i fundit i presidentit i bërë publik, e i marrë pasi disa ditë më parë Sejko u votua nga Parlamenti shqiptar me shumicë votash si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës së Bankës.
“Vlerësojmë politikën e Bankës së Shqipërisë, që ka qenë akomoduese për të ofruar mbështetjen e nevojshme për rimëkëmbjen ekonomike si pasojë e tërmetit dhe pandemisë, si dhe për të lehtësuar konsolidimin fiskal. Gjithashtu është për t’u nënvizuar roli i Bankës së Shqipërisë për të siguruar, që sektori financiar të mbetet i qëndrueshëm dhe likuid. Megjithatë, në kushtet kur inflacioni total është rritur për shkak të çmimeve më të larta të ushqimeve dhe energjisë, Banka e Shqipërisë duhet të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet e inflacionit dhe të rregullojë qëndrimin e politikës në përputhje me objektivin e saj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve”, shprehet presidenti në njoftimin e tij.
Dekreti i Sejkos pritet të votohet nga ana e Parlamentit shqiptar. Gent Sejko u zgjodh anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në vitin 2015, si propozim i vetë Këshillit dhe më tej u votua edhe si guvernator i Bankës së Shqipërisë. Ai e mori detyrën pas ndërprerjes së mandatit të guvernatorit të mëparshëm, Ardian Fullani, që u shkarkua nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në shtator të vitit 2015, pas arrestimit të tij.
Njoftimi i presidentit
Nisur nga fakti që Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë i ka përfunduar mandati në datën 5 shkurt 2022, Presidenti i Republikës SH.T.Z Ilir Meta, pasi ka ndjekur me vëmëndje dhe zhvillimet dhe procedurat në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me emërimin e anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, ditën e sotme në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 161, pika 2, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ka dekretuar që :
Zoti Gent Sejko t’i propozohet Kuvendit të Shqipërisë për t`u rizgjedhur si Guvernator i Bankës së Shqipërisë
Vlerësojmë politikën e Bankës së Shqipërisë, që ka qenë akomoduese për të ofruar mbështetjen e nevojshme për rimëkëmbjen ekonomike si pasojë e tërmetit dhe pandemisë, si dhe për të lehtësuar konsolidimin fiskal.
Gjithashtu është për t’u nënvizuar roli i Bankës së Shqipërisë për të siguruar, që sektori financiar të mbetet i qëndrueshëm dhe likuid.
Megjithatë, në kushtet kur inflacioni total është rritur për shkak të çmimeve më të larta të ushqimeve dhe energjisë, Banka e Shqipërisë duhet të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet e inflacionit dhe të rregullojë qëndrimin e politikës në përputhje me objektivin e saj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.
Rreziku i rritjes së kredive me probleme shton rëndësinë e një monitorimi të ngushtë të cilësisë së portofolit të kredisë së bankave, ruajtjen e rezervave të kapitalit dhe forcimin e kornizave të zgjidhjes së kredive të këqija.
Të gjithë aktorët duhet të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të monitoruar dhe menaxhuar më mirë rreziqet fiskale në rritje që lidhen me rritjen e borxhit publik dhe të ekspozimit ndaj rritjes së portofolit të projekteve të Partneritetit Publik Privat.