Po hetohet nga SPAK, pezullohet anëtari i komisionit të Vettigut

Mbledhja e Gjyqtarëve në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA ka vendosur të hënën më 7 shkurt të pezullojë nga detyra anëtarin Ardian Hajdari. Ky fakt u bë i ditur të martën në çeljen e seancës publike që ka të bëjë me ankimin e gjyqtares së ish-Gjykatës së Apelit Për Krime të Rënda, Dhurata Haveri kundër vendimit të Komisionit për shkarkimin e saj.
Ardian Hajdari është anëtari i dytë i Kolegjit që pezullohet, pas Luan Dacit i cili dhe u shkarkua pasi u deklarua fajtor me vendim të formës për falsifikim të formularit të aplikimit për një pozicion në institucionet e vetingut.
SPAK i ka komunikuar Hajdarit dy akuza për fshehje të ardhurash dhe deklarim të rremë pasure. Hetimi kundër tij nisi pas kallëzimit në qershor 2020 nga ish-prokurorët e shkarkuar nga vettingu; Antoneta Sevdari, Elsion Sadiku dhe Ervin Metalla.
Njoftim
Pas vënies në dijeni për marrjen në cilësinë e të pandehurit të gjyqtarit Ardian Hajdari nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u zhvillua më datë 07.02.2022, Mbledhja e Gjyqtarëve, e cila me vendimin nr.13, datë 07.02.2022, në mbështetje të nenit C, pika 3 e Aneksit të Kushtetutës, të nenit 128, pika 3, germa “b”, të nenit 179, pika 7, si dhe të nenit 179/b, pikat 5 dhe 6 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, vendosi:
1. Pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, z. Ardian Hajdari.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.