Presidenti Biden: Jam i bindur se Putini ka marrë vendimin të sulmojë Ukrainën

Presidenti amerikan Joe Biden tha të premten se ishte i bindur se presidenti rus Vladimir Putin kishte marrë një vendim për të sulmuar Ukrainën dhe se megjithëse kishte ende hapësirë për diplomaci, ai priste që forcat ruse të hyjnë në Ukrainë në ditët në vijim.
“Ne kemi arsye të besojmë se forcat ruse po planifikojnë dhe synojnë të sulmojnë Ukrainën në javën e ardhshme, në ditët në vijim”, tha presidenti Biden, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia do të synonte kryeqytetin e Ukrainës, Kievin.
Komentet e tij erdhën pas një telefonate me krerët e Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Rumanisë, Britanisë, Bashkimit Evropian dhe NATO-s, tha Shtëpia e Bardhë.
Udhëheqësit u zotuan të vazhdojnë të ndjekin diplomacinë ndërsa përgatiten të imponojnë kosto të shpejta dhe të koordinuara ekonomike ndaj Rusisë nëse ajo zgjedh konflikt të mëtejshëm, sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë pas thirrjes telefonike.
Ata diskutuan gjithashtu përpjekjet për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë e krahut lindor të NATO-s, tha Shtëpia e Bardhë. /VOA