Putin i prerë: Nuk duam luftë dhe zgjerimin e NATO-s pranë nesh, Ukraina bëri gjenocid

Rusia nuk do luftë. Kështu tha presidenti rus, Vladimir Putin, pas takimit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në Moskë. Shefi i Kremlinit u shpreh se Moska ka parashtruar propozime për procesin e negociatave, por se nuk ka pasur reagim konstruktiv nga NATO.
“Nuk do ta pranojmë kurrë zgjerimin e NATO-s deri në kufijtë tanë”, tha Putin, duke shtuar se aleanca e ka për detyrë të mos e fuqizojë sigurinë në kurriz të vendeve të tjera. Megjithatë, ai deklaroi se përgjigjet e NATO-s dhe SHBA-së lidhur me kërkesat e Rusisë për sigurinë, përmbajnë elemente mbi të cilat Moska është e gatshme të punojë”, tha ai.
Pavarësisht deklaratave për paqe, Putin akuzoi Ukrainën se ka kryer gjenocid në zonat që mbahen në kontroll nga rebelët e mbështetur nga Moska, në Donbas. “Në këndvështrimin tonë, ajo që po ndodh në Donbas është gjenocid”, tha Putin në konferencë për mediat.
Putin tha se është i përgatitur të diskutojë me perëndimin, lidhur me çështje të sigurisë europiane dhe raketave. Putin tha se Moska është e gatshme për bisedime me SHBA-në dhe NATO-n për kufizimet për vendosjen e raketave dhe transparencën ushtarake, megjithëse Rusia nuk kishte marrë përgjigje pozitive për kërkesat e saj të sigurisë.
Udhëheqësi rus këmbënguli se ai nuk dëshiron një luftë rreth Ukrainës, pas javësh tensionesh të nxitura nga një dislokim masiv i trupave ruse.
“A duam (një luftë) apo jo? Sigurisht që jo. Kjo është arsyeja pse ne parashtruam propozimet tona për një proces negocimi,” tha ai gjatë një konference të përbashkët shtypi me kancelaren gjermane.
Duke folur pas bisedimeve me Scholz, Vladimir Putin tha se SHBA-ja dhe NATO-ja hodhën poshtë kërkesën e Moskës për të mbajtur Ukrainën dhe vendet e tjera ish-sovjetike jashtë NATO-s, për të ndaluar vendosjen e armëve pranë kufijve rusë dhe për të tërhequr forcat e aleancës nga Evropa Lindore.
Por SHBA dhe NATO kanë rënë dakord të diskutojnë një sërë masash sigurie që Rusia kishte propozuar më parë.
Sakaq, kancelari gjerman, Olaf Scholz, deklaroi në konferencën e përbashkët për shtyp se siguria në Europë, nuk mund të ndërtohet kundër Rusisë, por në bashkëpunim me Rusinë.
Scholz tha se ai pajtohet se opsionet diplomatike nuk janë “shumë të shterura”. Njoftimi i tërheqjes së trupave është një “sinjal i mirë”, tha ai, duke shtuar se shpreson se “do të pasojnë më shumë”.
Mbetet shumë e paqartë në lidhje me synimet e Rusisë dhe njoftimin për tërheqjen e trupave nga zona kufitare. Shefi i NATO-s tha se nuk kishte “asnjë shenjë të de-përshkallëzimit në terren”.