Rama ngre pyetjen: A duhet t’i japim mundësi emigrantëve të legalizojnë paratë?

Kryeministri Rama ka zhvilluar ditë ne sotme një takim informues me qytetarët në Dibër, për Këshillimin Kombëtar.
Gjatë fjalës së tij, Rama ka theksuar se arsyeja e vetme pse Qeveria vendosi të ndërmerrte këtë nismë ishte për të kuptuar dhe për të marrë mbështetjen e qytetarëve për nismat dhe investimet që realizohen.
Ai mori si shembull kursimet e emigrantëve, për të cilat tha se ka shumë që nuk janë të formalizuara dhe legalizimi i tyre është një vendim i vështirë, prandaj duhet mendimi I qytetarëve.
“Ka të tjerë që thonë që këshillimi kombëtar është një nismë propagandistike se opinioni i qytetarëve nuk i intereson qeverisë. Por për çfarë arsye do duhet ta ndërmerrnim këtë nismë e të harxhonim kaq shumë kohë, energji, nëse nuk do donim të dëgjonim?
Për ç’arsye do futeshim në në një marrëdhënie të gabuar e në gojën e shumicës nëse ne do bënim të kundërtën e asaj që do na thotë shumica.
Të gjitha këto janë dyshime të mirëkuptueshme por që s’kanë asnjë bazë. Ne e duam opinionin e qytetarëve, që vendimmarrjet tona të jenë sa më shumë të mbështetura te fryma e bindja e shumicës së qytetarëve.
Ka njerëz që thonë që këto çështje nuk janë të rëndësishme ka të tjera më të rëndësishme. Natyrisht mbase ka të tjera më të rëndësishme por edhe këto janë.
Me rëndësi janë dhe kursimet e emigrantëve.
Të gjithë ne kemi miq shokë të afërm që janë emigrantë. E dimë mirë historinë e emigracionit shqiptar, përpjekjet për të fituar duke punuar e për të kursyer për të ndihmuar familjet. Ka shumë kursime të emigrantëve që s’janë të formalizuara, që janë kursime nga puna në të zezë, nga lloj-lloj punësh shumë të vështira që nuk mund të depozitohen në banka as në vendet ku emigrantët janë e as këtu.
Procedurat janë të tilla që kërkojnë justifikime përmes dokumenteve dhe të vënë përpara vështirësish të jashtëzakonshme për të justifikuar burimin e të ardhurave, këtu flasim për burim nga puna jo nga aktivitetet kriminale, se këto kjo vendimmarrje i përjashton.
Nuk është një vendim i lehtë, ndaj pyesim njerëzit a duhet ti japim mundësi emigrantëve të legalizojnë paratë e fituara nga puna? Ne do e marrim vendimin bazuar në atë që do na thonë qytetarët.’- deklaroi Rama.