“Rreziku është i lartë”, Biden ngre ALARMIN: Rusia e përgatitur për ta sulmuar Ukrainën

Presidenti amerikan Joe Biden vlerëson se ekziston një rrezik i lartë i një pushtimi rus të Ukrainës.
Ai sot në një deklaratë u shpreh se se Rusia mund të sulmojë Ukrainën në ditët e ardhshme, pavarësisht pretendimeve të Kremlinit se po tërheqin forcat.
“Është shumë e lartë,” tha Biden kur u pyet nga gazetari Jeremy Diamond i CNN se sa i lartë është niveli i kërcënimit për një pushtim rus të Ukrainës.
“Është shumë e lartë sepse ata nuk kanë lëvizur asnjë nga trupat e tyre jashtë. Ata kanë zhvendosur më shumë trupa. Ne kemi arsye të besojmë se ata janë të përfshirë në një operacion flamuri të rremë për të pasur një justifikim për të shkuar. Çdo indikacion që kemi është se ata janë të përgatitur të shkojnë në Ukrainë, të sulmojnë Ukrainën” tha ai ndër të tjera.
CNN shkruan se nuk ka shenja të de-përshkallëzimit pasi zyrtarët amerikanë thanë se 7,000 ushtarë të rinj rusë kanë mbërritur pranë Ukrainës, duke kundërshtuar pretendimet e mëparshme ruse për një tërheqje.
I pyetur nëse një sulm do të ndodhë, Biden tha: “Po. Mendimi im është se do të ndodhë në ditët e ardhshme.”
Kujtojmë që qeveria ruse ka debuar zëvendësambasadorin amerikan në Moskë. Bard Gorman ishte diplomati i dytë më i rëndësishëm amerikan në Rusi.
Ambasada Amerikane e ka cilësuar absurd dëbimin e Gorman pasi qëndrimi i tij në vend ende nuk i ka kaluar tri vite.