Shkarkimi? Gjykata Kushtetuese sot nis procesin ndaj Metës, manovrat e presidentit për rrëzimin me procedurë

Sot Gjykata Kushtetuese do të nisë seancën në ora 10:00 shqyrtimin e çështjes të shkarkimit të presidentit Ilir Meta. Një kërkesë kjo e Parlamentit e votuar tetë muaj më parë me shumicë të cilësuar votash, pas kryerjes së një hetimi parlamentar.
Shumica dhe një pjesë e opozitës parlamentare së asaj kohe vendosi për shkarkimin e Metës, duke e akuzuar për shkelje të rëndë të Kushtetutës me veprimet e tij gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Presidenti Meta u shkarkua nga Parlamenti më 9 qershor 2021 me 104 vota, 7 kundër dhe 3 abstenim.
Shtatë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të mblidhen në seancë në orën 10:00 të paradites së sotme dhe pritet të dëgjojnë argumentet e palëve.
Përpara se të nisë kjo seancë, presidenti Ilir Meta ka nisur përpjekjet e tij duke tentuar që ngrejë një “alibi” se pse nuk do ta njohë vendimin e Kushtetueses, në rast se ai është në favor të Parlamentit duke e cilësuar si të bazuar shkarkimin e tij.
Ai ndërmori tre veprime që dukshëm synojnë që të ketë një mbrojtje sa më të mirë përballë 7 anëtarëve të Kushtetueses. Së pari ai nxori dekretin për mbarimin e mandatit të anëtarit të Kushtetueses, Përparim Kalo, i cili për “koincidencë” është edhe relatori i kësaj çështje.
Ndërsa tre ditë më parë Meta kërkoi që gjykatë t’i vendosë në dispozicion ‘provat si u caktua relatori për çështjen e shkarkimit’ të tij nga Parlamenti për shkelje të Kushtetutës.