Shtrenjtimi i çmimeve kapërcen parashikimet, Sejko paralajmëron: Inflacioni do jetë mbi 3% këtë vit!

Rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ka bërë që norma e inflacionit të mbetet sërish mbi objektivin 3% të Bankës së Shqipërisë.

Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko, tha se inflacioni u rrit shpejt në 3 muajt e fundit të vitit 2021, duke arritur në 3.8% në muajin dhjetor.

“Informacioni i ri i marrë në analizë tregoi zgjerimin e shpejtë e të qëndrueshëm të aktivitetit të brendshëm ekonomik gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar dhe përshpejtimin e inflacionit në tremujorin e katërt. Rritja e inflacionit është shkaktuar si nga faktorë të qëndrueshëm, të lidhur me rritjen progresive të kërkesës, të punësimit dhe të pagave, ashtu edhe nga faktorë tranzitorë, të lidhur me rritjen e shpejtë të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Projeksionet tona sugjerojnë rritje të mëtejshme të ekonomisë në vitet në vazhdim. Norma e inflacionit pritet të mbetet mbi objektivin tonë prej 3% gjatë vitit aktual, si pasojë e çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare. Këto goditje kanë rezultuar më të forta dhe të qëndrueshme se vlerësimet tona fillestare. Megjithatë, ndikimi i tyre në inflacion pritet të vijë drejt shuarjes graduale gjatë vitit 2022. Më tej, inflacioni pritet të kthehet në mënyrë të qëndrueshme në objektiv gjatë vitit 2023, në pasqyrim të balancimit të kërkesës me ofertën dhe të rritjes së punësimit dhe pagave në linjë me produktivitetin.

Në këtë kontekst, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Në gjykimin e Këshillit, niveli aktual i stimulit monetar i shërben respektimit të objektivit tonë të inflacionit, ndihmon rimëkëmbjen e mëtejshme të ekonomisë shqiptare, si dhe ruan një balancë të drejtë midis rreziqeve që çmimet e larta në tregjet ndërkombëtare mund të kenë mbi nivelin e çmimeve dhe aktivitetit ekonomik në vend”, deklaroi Sejko.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT