“Trupat ruse gati të marrin Kievin”/ Ambasada amerikane thirrje urgjente qytetarëve të saj: Largohuni menjëherë nga kryeqyteti

Ambasada e SHBA-së në Kiev u bëri thirrje përsëri qytetarëve amerikanë në Ukrainë që të “largohen menjëherë nëse është e sigurt për ta bërë këtë duke përdorur çdo mundësi transporti”.
Ata që nuk do munden të largohen nga Kievi thuhet në deklaratë, “duhet të kenë kujdes të shtuar për shkak të mundësisë për luftime aktive, krime dhe trazira civile.”
“Qytetarët amerikane që do të mbeten në Ukrainë duhet të monitorojnë me kujdes njoftimet e qeverisë dhe mediat lokale dhe ndërkombëtare për informacion në lidhje me ndryshimin e kushteve të sigurisë dhe alarmet për strehim në vend”, thuhet në thirrjen e lëshuar nga ambasada amerikane ne Kiev.
Kujtojmë që më 25 shkurt, në ditën e dytë të luftimeve në Ukrainë, një tjetër paralajmërim i fortë erdhi nga inteligjenca amerikane.
Sipas saj, kryeqyteti ukrainas, Kievi do të bjerë në duart e Rusisë brenda pak ditësh.
Sipas dy burimeve të inteligjencës amerikane, të cituara nga CNN thuhet se vlerësimi fillestar i SHBA, para pushtimit parashikonte që Kievi do të pushtohej brenda 4 ditësh, pas sulmit. Këtij vlerësimi ata vazhdojnë t’i qëndrojnë ende.
Ndërkohë thirrja e ambasadës amerikane në Kiev sot e vlerëson situatën e sigurisë në Ukrainë “shumë të paqëndrueshme”, duke paralajmëruar se “kushtet mund të përkeqësohen pa paralajmërim”.
Kujtojmë qe tashme nuk ka më një prani diplomatike brenda Ukrainës. Grupi i vogël i diplomatëve që kishin mbetur janë zhvendosur nga Lviv në Poloni.