Ukrainasja që jeton në Shqipëri: Flas çdo ditë me prindërit, shpresoj te zgjidhja politike

Oksana Genkina nga Ukraina prej 10 vitesh jeton dhe punon në Shqipëri. Ajo ka krijuar dhe familjen duke u martuar me një shqiptar dhe ka dy fëmijë, një djalë e një vajzë. Edhe pse ndodhet mijëra kilometra larg, ajo i ndjek me shqetësim zhvillimet në Ukrainë, ku së fundmi përflitet për një luftë me Rusinë dhe pritet një invazion.

E ftuar në emisionin Breaking në Top News, Genkina shprehet se situata nuk është edhe aq shumë e tensionuar dhe se pret që konflikti mes Ukrainës dhe Rusisë të zgjidhet me anë të mjeteve politike.

“Kam prindërit vëllanë e motrën. Njerëzit nuk kanë panik dhe jam shqetësuar për situatën dhe kanë shpresën se kjo do të zgjidhet në mënyrën paqësore. Kemi shpresë të zgjidhet në mënyrë paqësore, politike”, shprehet ajo.

Në Ukrainë ka prindërit, vëllanë e motrën, si dhe pjesëtarë të tjerë, por Oksana thekson se ata nuk e kanë vendosur që të vijnë në Shqipëri, pasi sipas saj, situata nuk është aq e rëndë aq sa e japin mediat, të paktën në zonën ku jetojnë prindërit e saj në Kharkiv, 2 orë larg kufirit me Rusinë.

“Mund ta them se jam gjysmë shqiptare, vajzën 8 vjeçe e gjysmë, djali 1 vjeç. Ndjehem shumë mirë në Shqipëri. Para 10 viteve ishte e vështirë se isha 20 vjeçe, tani jam e bindur se kam bërë zgjedhjen e duhur. Kanë pasur merak prindërit, jam më e vogla, por jo e vetmja. Kanë pasur besim dhe e dinë se nuk kam marrë vendimin e gabuar”, shprehet ajo.

Oksana shprehet se ajo ka miqësi dhe me rusë dhe ruse dhe se kanë marrëdhënie miqësore, pavarësisht konfliktit që deklarohet nëpër media.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT