Xhezve me kokainë e Playstation si mjet komunikimi/ Çfarë zbuloi policia në qelitë e të burgosurve VIP

Nga mega-operacioni i djeshëm i zhvilluar në Elbasan, ku u arrestuan disa policë burgjesh për shpërdorim detyre, janë mësuar detaje të reja.
Këto urdhër arreste u lëshuan nga një grup prokurorësh nën drejtimin e Drejtuesit të Prokurorisë, Kreshnik Ajazi.
U arrestuan 14 persona, ndërsa të tjerë u shpallën në kërkim. Megjithatë aksioni policor nuk u ndal vetëm në qytetin e Elbasanit.
Por vazhdoi edhe me kontrolle të imtësishme në 38 dhoma të të dënuarve ‘VIP’ në të tre burgjet.
Gjatë kontrollit policor u gjet 1 orë e dyshuar si telefon celualar; një xhezve e madhe ku brenda saj ishin dy qese plastike transparente me pluhur të bardhë, dyshohet kokainë, disa Playstation 3, të cilat dyshohet që mund të përdoren si pajisje komunikimi etj.
Të gjitha materialet e sekuestruara janë dorëzuar për vijimin e veprimeve hetimore oficerëve të SHKBB dhe Sektorit të Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë Elbasan.