“141 vende ndëshkojnë Rusinë”/ Rama pas miratimit të rezolutës: Vota e Serbisë unifikon Ballkanin Perëndimor

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi sot më shumicë dërrmuese një rezolutë që dënon agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, duke e detyruar këtë të fundit ti japë fund luftës.
Për këtë ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama, i cili me anë të një postimi në Twitter, shkruan se 141 vende ndëshkuan Rusinë, duke ju referuar 141 votave pro që mori rezoluta.
Teksa publikon dhe mënyrën se si shtetet votuan, Rama shprehet se vota e Serbisë kundër Rusisë unifikon Ballkanin Perëndimor me Perëndimin.
“141 vende ndëshkojnë Rusinë me votimin e tyre në OKB kundër agresionit ndaj Ukrainës! Rusia hyn në periudhën e vetmisë më të madhe të historisë së saj me veç 4 vende ultradiktatoriale që i qëndrojnë në krah! Vota e Serbisë kundër Rusisë unifikon Ballkanin Perëndimor me Perëndimin.”- shkruan Rama.
Rezoluta u miratua me 141 vota pro dhe 5 kundër nga Rusia, Koreja e Veriut, Eritrea, Siria dhe Bjellorusia. Ndërkohë 35 anëtarë abstenuan.