22 MARSI i PD-së/ Nga fitorja historike në 1992, te kriza e thellë dhe largimi i Lulzim Bashës, çfarë ndodh me Partinë Demokratike 30 vite më pas

22 Marsi është një ditë e shënuar për të gjithë demokratët. 30 vite më parë, Partia Demokratike do të arrinte fitoren e parë në zgjedhjet e dyta pluraliste që zhvilloheshin në vendin tonë.

PD arriti të fitonte shumicën absolute në Parlament, së bashku me aleatët e saj, Partinë Social Demokrate dhe Partinë Republikane, duke marrë 100 nga 140 vendet e Parlamentit. Në krye të qeverisë do të zgjidhje Aleksandër Meksi, ndërsa Kuvendi i ri do të votonte si President Sali Berishën.

Partia Demokratike do të arrinte të fitonte sërish zgjedhjet e 26 Majit 1996, duke arritur një fitore shumë të thellë, pasi mori 122 nga 140 vendet e Parlamentit. PD qeverisi deri në vitin 1997, ku pas trazirave që u shkaktua nga rënia e e firmave piramidale, Aleksandër Meksi dhe qeveria e tij dhanë dorëheqjen, duke i hapur rrugën një qeverie të përkohshme të drejtuar nga Bashkim Fino. Në zgjedhjet e parakohshme të vitit 1997, PD kaloi në opozitë, ku qëndroi për 8 vite.

Duhej të vinte viti 2005 që PD e drejtuar nga Sali Berisha të vinte sërish në pushtet, me anë të një koalicioni të gjerë opozitar. Edhe në zgjedhjet e vitit 2009 PD arriti të fitonte, por këtë herë e detyruar të bënte koalicion edhe me LSI-në e Ilir Metës për të formuar qeverinë e re.

Në zgjedhjet e vitit 2013 Partia Demokratike humbi ndaj koalicionit të drejtuar nga Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Sali Berisha pranoi rezultatin e zgjedhjeve dhe dha dorëheqjen si Kryetar i Partisë Demokratike. Një muaj më vonë, në zgjedhjet brenda PD-së, Lulzim Basha arriti të triumfonte ndaj Sokol Olldashit dhe të zgjidhej kryetari i ri i partisë.

Zgjedhjet e vitit 2017 do ta shihnin sërish PD-në si humbëse, pasi Partia Socialiste arriti të merrte shumicën e deputetëve dhe të qeveriste e vetme, këtë herë pa koalicion me LSI-në. PD dogji mandatet dhe bojkotoi zgjedhjet vendore të vitit 2019 së bashku me LSI-në, duke ia “falur” të gjitha bashkitë socialistëve.

Viti 2021 shihej si viti kur PD do të rikthehej në pushtet dhe Lulzim Basha do të arrinte fitoren e parë në drejtim të PD-së pas disa humbjeve, por ndodhi e kundërta. PS arriti sërish të triumfonte e vetme, ndërkohë që ndaj Bashës filluan të shtohen pakënaqësitë.

Në 13 qershor 2021 Lulzim Bahsa rikandidoi dhe fitoi në zgjedhjet brenda PD-së, duke mposhtur Agron Shehajn, Edith Harxhin dhe Fatbardh Kadilli. PD dukej e bashkuar dhe gati për t’u përballur në Parlament me mazhorancën, por 9 Shtatori prishi gjithçka.

Vendimi i Lulzim Bashës për të përjashtuar nga Grupi Parlamentar Sali Berishën, pasi ky i fundit u shpall “non grata” nga SHBA, bëri që një pjesë e deputetëve t’i dalin kundër. Brenda 1 jave PD mbajti dy Kuvende Kombëtare. I pari në 11 Dhjetor i thirrur nga delegatët dhe Sali Berisha, ndërsa i dyti i thirrur nga Këshilli Kombëtar dhe Lulzim Basha.

Në të dyja Kuvendet, Berisha dhe Basha shkarkuan njëri-tjetrin, por vula dhe selia mbetën në “duart” e Bashës. Në 8 Dhjetor selia e PD do të kthehej në një “skenë krimi”, pasi mbështetës të Berishës dhe të Bashës u përplasë me njëri tjetrin fizikisht, teksa do të duhej ndërhyrja e Policisë për të shpërndarë turmën.

Zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit ishin mundësia më e mirë për të parë sesa mbështetje kishte secili në elektorat. Sali Berisha formoi koalicionin “Shtëpia e Lirisë” së bashku me LSI-në dhe PDK-në, ndërsa PD nxori e vetme 6 kandidatët e saj. Zgjedhjet e fitoi PS, pasi mori 5 nga 6 bashki, por fitorja brenda demokratëve i takoi Berishës. Jo vetëm që arriti të fitonte në Bashkinë e Shkodrës, por doli i dyti në 4 nga 5 bashkitë e tjera. Pas humbjes së këtyre zgjedhjeve, pakënaqësitë ndaj Bashës arritën kulmin. Kryedemokratit filluan t’i kërkonin dorëheqjen edhe deputetët e Grupit Parlamentar dhe më pas edhe disa kryetarë degësh. Në 21 Mars 2022, në një mbledhje në PD, Basha dha dorëheqjen, duke i hapur rrugë zgjedhjeve të reja në PD.

30 vite pas 22 Marsit 1992 dhe fitores historike, PD është në krizë të thellë, e ndarë në 2 grupe dhe pa një kryetar. Për ta ringritur sërish duhet punë, ndërsa për ta rikthyer në pushtet, akoma edhe më shumë përpjekje, punë dhe bashkëpunim. E gjitha kjo është në dorën e Berishës, Bashës dhe deputetëve. Si do të vijojë situata në PD, mbetet vetëm të presim dhe të shohim.

Fjalimi i Sali Berishës në 22 Mars 1992

Back to top button
LAJMET E FUNDIT