“A ka mundësi një ministër apo Kryeministri të bëjë transparencë?”- Braçe, kritik ndaj qeverisë: Si i cakton bordi çmimet…

Deputeti socialist Erion Braçe ka kërkuar informacion të detajuar se mbi ç’bazë ligjore bordi i transparencës cakton çmimin e karburanteve. Braçe kërkoi që një zyrtar i qeverisë, ministër apo edhe vetë Kryeministri duhet të dalë publikisht dhe të bëjë transparencë për gjithë transaksionin e karburantit, nga blerja në bursë deri në shitje.

Kundër mendimit të deputetit Braçe ka qenë deputetja Blerina Gjylameti, që i kujtoi se baza ligjore e bordeve është e qartë dhe e pasqyruar nga Kryeministria. Socialistja u shpreh se masat që merren janë në funksion dhe përgjigje të problematikave të qytetarëve. Për deputetin demokrat Edmond Spaho, çmimi i karburanteve duhet të bëhet transparent për qytetarët, ndërsa kërkoi rritjen e pagave dhe pensioneve.

DEBATI

Erion Braçe: Unë mendoj që edhe bordi që merret me çmimin e hidrokarbureve duhet të ketë një bazë ligjore ku ai funksionon. Tani unë dua të di mbi ç’bazë ligjore po caktohet ai çmimi atje? Është shumë e rëndësishme për të kuptuar, ne këtu njëherë, se do të votojmë dhe do duket sikur po e përcaktojmë ne çmimin. Sepse po përcaktove formulën, pa diskutim ke përcaktuar edhe çmimin. Një variabël ndryshon, vetëm çmimi në bursë, pastaj pjesa tjetër mbetet e pandryshuar nga ajo që do miratojmë ne këtu. A ka mundësi që një nga qeveria, ministër, Kryeministër të jetë çfarë të dojë po një zyrtar i qeverisë të bëjë transparencë për të gjithë transaksionin e karburantit nga blerja në bursë deri në shitje. A ka mundësi një njeri të na i shpjegojë, kush e blen naftën që tregtohet në Shqipëri? Kush e sjell këtu? Ku e sjell? Ku e depoziton këtu? Gjithsecili të mbajë atë që i takon! Pra, janë disa elemente që duhet të ishin të shkruar tek ai akti normativ dhe duhet të kishte një element themelor, transparencën.

Blerina Gjylameti: Jam e bindur që ato bordet, sado mund të jenë në masa ekstreme, por në situata të jashtëzakonshme, nuk mund të ketë masa të zakonshme, janë gjëja më e mirë për të ulur sadopak abuzimin. Ne duhet të nxisim funksionin dhe monitorimin më të mirë të të gjitha inspektorateve se çfarë ndodh në terren. Baza ligjore e bordeve është e qartë, e pasqyruar dhe publikuar nga kryeministria për të kuptuar se si funksionojnë. Ato masa që merren janë në funksion dhe përgjigje të problematikave të qytetarëve.

Edmond Spaho: Tani është koha që po kalojmë këtë krizë, që pagat dhe pensionet të rriten. Këtu për të gjithë janë nivele qesharake të pagave dhe pensioneve. Është shumë e nevojshme për të siguruar transparencën e çmimit të karburanteve që të sqarohen qytetarët nëse karburanti që depozitohet në depozita është pronë e këtyre kompanive apo është pronë e brokerave në Londër. Ligji i detyron eksportuesit të kenë të depozituar pronë të tyre për tre muaj konsum. Kjo është shkelje e ligjit! Ka nevojë të bëhet transparencë.

Erion Braçe: Të garantohet edhe një gjë tjetër që është akoma më e rëndësishme, konkurrenca. Tani çmimet janë uniformë dhe është zbehur totalisht konkurrenca midis pikave. Duhet ta shpjegojë dikush këtë çështje e shpenzimeve operacionale të tyre sepse nuk arrij ta kuptoj, janë 12 lekë për naftën, benzinë dhe gazin sepse u reflektua një rritje e menjëhershme te të tria produktet.

Në qoftë se janë te të tri produktet, më falni, por çfarë shpenzimesh po u njohim ne këtyre? Shpenzimet për të bredhur me “Ferrari” nëpër Tiranë?

Vendimi i Bordit për karburantet

Bordi i transparencës ndryshoi sërish çmimin e naftës duke e ulur atë nga 245 lekë për litër, në 237 lekë për litër. Bordi i karburanteve e uli çmimin e naftës me 8 lekë dhe nafta deri më datën 31 mars do të shitet 237 lekë/litri, ndërsa benzina me 211 lekë/litri. Sipas vendimit të bordit, një litër gaz do të shitet me 116 lekë duke pësuar një rritje të lehtë të çmimit

Back to top button
LAJMET E FUNDIT