Alibeaj thërret nesër grupin e PD, pritet përplasja mes dy grupimeve

Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka thirrur mbledhjen e radhës së grupit të PD-së, e cila do mbahet nesër në orën 09:00. Mbledhja pritet të mbahet para seancës parlamentare, si një praktikë, por se në të pritet të zhvillohen debate të forta mes dy kampeve.
Kjo mund të jetë mbledhja e parë ku mund të jenë të pranishëm edhe deputetët e grupimit Berisha, duke mos përfshirë ish-kryemnistrin, i cili ‘de jure’ është i shkarkuar nga Grupi i PD-së.
Kjo është mbledhja e parë e grupit pas vendimit të Gjykatës Civile, e cila njohu zyrtarisht statutin e Kuvendit të 11 dhjetorit, të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Me njohjen e statutit, u njoh edhe grupi i Rithemelimit të PD-së, që tashmë janë futur dhe në zyrat e PD-së.
Ndërkohë që disa ditë më parë deputetja Ina Zhupa kishte propozuar që mbledhja mes dy grupimeve të mos mbahej në selinë e PD-së, ccelësat e së cilës i zotëron grupimi Berisha, por në kryesinë e apo në sallën e seancave të Kuvendit.
Ndërsa nuk dihet nëse i pranishëm do të jetë Lulzim Basha, ose jo në këtë mbledhje, pasi ai vetë po përpiqet të krijojë grupin e tij, si dhe ka marrë një zyrë afër PD-së.