Armët atomike dhe gënjeshtrat me Nastradin për bunkerët e Shqipërisë. Një analizë e detajuar me shifra

Nga Kolonel Dilaver Goxhaj

Gjatë luftës Rusi-Ukrainë, e cila ka filluar më 24 shkurt 2022, nuk është reshtur pa u përmendur edhe mundësia e përdorimit të armëve bërthamore. Mirëpo, sikurse dihet, edhe kundër armëve bërthamore ekziston veprimi ekuivalent. Ai është  fortifikimi permanent, (betoni e çeliku), mjeti më efikas kundërveprues. Kjo është vërtetuar shkencërisht si nga analizat që u janë bërë efekteve të bombave të para atomike 20 kilotonshe të hedhura në Hiroshimë e Nagasaki, ashtu edhe nga studimet dhe eksperimentimet e mëvonshme nga shumë shtete, po asht edhe nga ne.

Nisur nga sa më sipër, udhëheqja e lartë e vendit, sidomos pas daljes “de fakto” të Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, duke parë se armët atomike po futeshin deri edhe në municionet e artilerisë, urdhëroi të studioheshin dhe të vlerësoheshin këto dukuri në mënyrë dialektike,  të cilat u parashikuar në Artin tonë Ushtarak mbi Luftën Popullore. Si rrjedhojë e atij studimi e eksperimentimesh, Shqipëria i bëri fortifikim permanent të fuqishëm të të gjith, origjinal e të pangjashëm me të gjithë fortifikimet që kanë përdorur shtete të tjera si para Luftës së Dytë Botërore, gjatë zhvillimit të saj, ashtu edhe  më pas. Kjo lloj strategji mbrojtëse, duke e fortifikuar fuqishëm të gjithë territorin e vendit, u bazua në politikën  e asnjëanësisë të shtetit tonë, e përcaktuar kjo prej udhëheqjes së lartë të vendit.

Mirëpo, në Shqipërinë e këtyre 32 viteve të ashtuquajturit “sistem demokratik” ka patur dhe ende vijojnë spekulime të turpshme rreth këtij sistemi mbrojtës të fortifikuar i ndërtuar gjatë periudhës 1945-1985. Spekulimet më të mëdha bëhen jo vetëm për politikën e përgatitjes ushtarakisht të gjithë popullit shqiptar, si dhe për sasinë dhe llojet e Forcave të Armatosura që patëm, por veçanërisht për fortifikimin. Këto spekulime janë bërë dhe bëhen si nga politikanë dhe  “analistë të shquar” shqiptarë në të dy Shqipëritë, (këtej e andej kufijve politikë), por edhe nga gazetarë, diplomatë e “analistë” të huaj.

Analizat “shkencore” prej shtypit shqiptar kanë marrë spunto edhe më shumë pas jehonës që ka bërë albumi dizinformues i fotografit hollandez David Galjard, të titulluar “Concresco”, të cilin revista “Wired” e trumbetoi në artikullin e saj me titull:  “Paranoja e diktatorit komunist – epoka e bunkerëve, tani një telash kombëtar”. David Galjard me këtë libër, botuar në nëtor 2012, ftoi në Paris çmimin: “2012 Aperture Foundation/ Paris photo first photobook award”.

Menjëherë pas këtij publikimi morën edhe më shumë kurajo gazetarët, “analistët” dhe politikanët tanë të gjithëditur, aq më shumë kur mësuan se botimi i librit ishte mbështetur edhe nga Ambasada Holandeze në Tiranë. Këta shqipfolës nxorën në pah dukurinë e shëmtuar të servilizmit, karakteristike për ta ndaj çdo të huaji, ku çdo thënie denigruese të tyre për vendin tonë, qoftë ai me titull shkencor, gazetar, diplomat, politikan, por edhe budalla qoftë, e marrin sikur e ka thënë Perëndia.

Madje hollandezi David Galjard shkon deri atje sa heq një paralele gati hipnotizuese se çfarë ka ndodhur në psikikën e shqiptarëve, duke thënë se “alarmin e sulmit shqiptarët e kanë pasur pas koke gjithë kohën, duke qenë gati të shkonim në psikiatri.”(!)

Midis të tjerave, hollandezi David Galjard shkruan: “Në Shqipëri, 750.000 bunkerë të kohës komuniste ndodhen të përhapura kudo”.  Nuk e dimë se sa kohë i është dashur këtij gazetari “të zgjuar” hollandez, madje të dekoruar edhe nga Franca, t’i numëronte një nga një të “750 mijë bunkerët”! Kjo gënjeshtër e qëllimshme është aq e madhe, sa dhe Nastradin Efendisë nuk i ka shkuar ndër mend të thoshte hiperbolizime kaq të madha e kaq të trasha! Por, më e keqja është se këtë shifër e kanë trumbetuar dhe po e trumbetojnë gazetarë, kronistë televizivë, analistë e politikanë “demokratë” e “rilindës” në Shqipëri, njëri më i “mençëm” se tjetri. Madje ka edhe ish-ushtarakë që tash kanë “reflektuar” dhe fortifikimin e quajnë “çmenduri apo lajthitje të Enverit”, “kosto ekonomik”, etj.

Cila është shifra vërtetë e Qendrave të Zjarrit të ndërtuara?

Bazuar në Vendimin me Nr.13, datë 04 Dhjetor 1974, i Këshillit të Mbrojtjes i RPSSH, i mbështetur në konceptin tonë strategjik dhe planin e organizimit të mbrojtjes strategjike të vendit si dhe të përdorimit të gjithë Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ishte llogaritur se duhej të ndërtoheshin gjithsej: 201.175 Qendra Zjarri Permanente (QZP).

Por sa u ndërtuan faktikisht?

Faktikisht u arrit të ndërtohen vetëm 161.878 QPZ, mes tyre 824 QZ kundërtanke nga 17.177 që ishin parashikuar. Kjo shifër del edhe nëse bëjmë llogaritjen sipas mesatares së sasisë të një zone mbrojtje divizioni (8.000 QZ): 22 divizionet që kishte ushtria, (dy divizione ishin rezervë e Komandës së Përgjithshme), sasia e QZ rezulton: 20×8.000 = 160.000 QZ. Bazën e këtij fortifikimi mbrojtjës e bënte mbrojtja kundër-tanke dhe mbrojtja kundër desantit ajror masiv të armikut.

Sikundër shihet, autori hollandez i gënjeshtrës hiperbolizuese dhe të gjithë pasuesve të tij shqiptarë, (politikanë, gazetarë e analistë), shifrën e vërtetë e kanë shumëzuar 4,6 herë më shumë! Lind pyetja: nga qëllimi i mirë apo i keq e kanë bërë ata këtë hiperbolizim, si dhe  ambasada që e ka financuar? Mund t’i falet hollandezit D. Galjard, por, po këta politikanët e “gazetarët” tanë çfarë i ka penguar të kërkonin ato dokumenta?!

Kur ka filluar fortifikimi i terrenit në Shqipëri?

Menjëherë pas çlirimit nga nazi-fashistët, i menjëhershëm ishte urdhri për fortifikimin i  Komandantit të Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, më 16 dhjetor 1944, ku theksohej: “Nga ana tjetër të mos nënvlerësohet rëndësia e organizimit të tokës për mbrojtjen, sepse, me anën e fortifikatave lehtësohet mbrojtja jonë, duke u bërë më i efekshëm zjarri ynë, më pak i efekshëm zjarri i armikut dhe përgatiten konditat për zhvillimin e mbrojtjes dhe transformimin e saj në ofensivë.”, (“Dokumenta të SHP” v.2,f.360). Ky urdhër ishte fillesa e punës kolosale që do të niste për fortifikimin e teatrit shqiptar të mbrojtjes, duke filluar nga brezi kufitar dhe buza e ujit, rajonet e pozicioneve të mbrojtjes, të brezave të thellësisë dhe të objekteve fortifikuese për artilerinë, tanket, për objektet e drejtimit, për strehimin e popullatës, të mjeteve e të forcave, për ndërtimin e bazave ushtarake detare e ato ajrore, brezave strategjikë, për industrinë e luftës, krahas ndërtimit të transheve, hendeklidhjeve, QZ, strehimeve etj.

Në tekstin e Artit tonë Ushtarak të Luftës Popullore përcaktoheshin tre drejtime kryesore për mbojtjen e vendit: përgatitja e popullit ushtar; pajisja dhe modernizimi i teknikës luftarake dhe përgatitja e teatrit të luftës (fortifikimi). Sikundër shihet, fortifikimi i vendit ishte një nga faktorët më kryesorë, i cili parashikonte që mbrojtja jonë të ishte pozicionale, e bazuar në sistemin e rajoneve të fortifikuara e tepër të fortifikuara. Rajone tepër të fortifikuar parashikoheshin në terrene fushore tepër të ekspozuar nga vrojtimi dhe zjarri i armëve të armikut.

Fortifikimi ynë u ndërtua sipas kapacitetit taktik, operativ e strategjik, i cili nuk lejonte shpërthimin e mbrojtjes dhe depërtimin e armikut në thellësi edhe me forca të blinduara, duke u siguruar një aktivitet i gjerë e i gjithanshëm nëpërmjet të cilit arrihej asgjësimi pjes-pjesë i forcave të armikut dhe fitorja përfundimtare mbi të.

Qëndrueshmërinë e sistemit tonë të fortifikimit e rriste shumë edhe mpleksja organike e fortifikimit permanent me fortifikimin fushor (transhe e hendeklidhje) sipas kushteve konkrete të terrenit. Mbi bazën e këtij fortifikimi do të zhvillohej aktiviteti i pandërprerë i mbrojtjes sonë në kushtet e epërsisë absolute të kundërshtarëve në ajër si dhe në forca e mjete.

Sipas llogaritjeve, për asgjësimin e një rajon mbrojtjeje batalioni duheshin 27-30 bomba atomike  20 kilotonshe me plasje tokësore, ndërsa me plasje ajrore – dyfishi.

Pse Shqipëria përzgjodhi mbrojtjen pozicionale aktive?

Shqipëria përcaktoi këtë lloj mbrojtje pozicionale aktive, pas daljes “de fakto” nga Traktati i Varshavës, me qëllim për ta parandaluar çdo tentativë të ambicieve “historike” të fqinjëve tanë ose dhe të aleatëve të tyre për copëtimin e Shqipërisë duke kapur hapësira brenda kufijve shtetërorë, apo që të shpërthente rajonin e mbrojtjes së forcave tona. Këtë strategji ushtarake Shqipëria e mori duke u nisur nga parimi se ajo nuk do të merrte kurrë iniciativën për të sulmuar fqinjët, të cilën e theksonin Nenet 87 e 88 të Kushtetutës. Pra, Shqipëria përmes kësaj strategjie mbrojtëse shpallte neutralitetin, duke mos marrë pjesë në asnjë pakt apo aleancë ushtarake rajonale a ndërkombëtare. Qëllimi i kësaj politike ishte shijimi i paqmë i lirisë dhe i barazisë, ku ambicia e vetme e çdo qytetari të ishte dëshira për të merituar Atdheu lavdinë dhe për t’i shërbyer atij.  Edhe pse Shqipëria zgjodhi vijën politike të neutralitetit, për strategji ushtarake zgjodhi atë të mbrojtëse pozicionale aktive.

Dikush edhe mund të pyesë:

Si është e mundur që edhe pse Shqipëria zgjodhi politikën e neutralitetit, u përgatit aq shumë për luftë?

Ndoshta  në aparencë kjo pyetje mund të duket logjike. Por fqinjët tanë asnjëherë nuk e kanë pas parim neutralitetin politik, por, përkundrazi, ende pretendojnë territore të vendit tonë. Këtë ambicie historike e ekspozuan si Serbia ashtu edhe Greqia menjëherë pasi qeveritë e vendit tonë pas vitit 1990 bënë shkrirjen e Forcave të Armatosura. Serbia pushtoi menjëherë Kosovën, ku edhe sot kërkon ta rimarri atë me forcë; ashtu edhe Greqia, e cila edhe pse anëtare e NATO-s nuk e lejoi aviacionin e saj të përdorte hapësirën ajrore greke për të goditur forcat fashiste serbe në Kosovë.

Së dyti, përmes krijimit dhe forcimit të të gjithë llojeve të Forcave të Armatosura, e në mënyrë të veçantë duke e shoqëruar me fortifikimin e gjithë territorit të vëndit, indirekt Shqipëria e demoralizoi çdo pretendues për ta sulmuar atë. Dhe faktikisht nuk na sulmoi kush, ngaqë ishin të bindur se i gjithë populli shqiptar ishte profesionalizuar ushtarakisht, që nga kreu i Forcave të Armatosura e deri tek qytetari i fundit. Si rrjedhojë, Shqipëria e fitoi luftën pa bërë luftë, siguruam paqen pa derdhur gjak. “Të fitosh mbi armikun pa betejë është triumfi më i lartë. Pra, ajo që është më e rëndësishme në luftë është të godasësh strategjinë armike”, shprehej  Homeri i letrave ushtarake  Sun Xu. (“Arti i luftës”,f. 152).

Fitorja e asaj lufte pa gjak bëri që Shqipëria, e cila në vitin 1945 i ngjante një shtëpie të rrënuar, pa dyer, pa dritare dhe pa çati, u rindërtua nga e para me rindërtimin e banesave, me bujqësi, blegtori dhe industri moderne të gjithë llojeve; nga një milionë banorë arriti në katër milionë banorë, ku shkolloheshin, mjekoheshin dhe stërviteshin të gjithë falas si dhe të gjithë në punë; të gjithë u armatosën dhe merrnin pjesë në fortifikim, prandaj dhe askush nuk guxonte ta sulmonte Shqipërinë, edhe pse me varfëri të pranueshme e të ndershme. Gjithë këto arritje e nxitën shkrimtarin Ismail Kadare të shkruante romanin “Kështjella”, duke i ngritur një përmendore letrare qëndresës shqiptare, një monumentalitetit kështjellor, një përngjasim që i është sugjeruar Kadaresë nga e gjithë historia shqiptare mes qëndresës shqiptare në shekullin e 15-të e qëndresës bashkëkohore të Shqipërisë, duke zhbiruar rrënjët  e disfatës të çdo agresori të huaj, siç e konstaton vetë Tursun pashai, se “Ata që do të jetojnë më vonë mbi këtë tokë, do ta kuptojnë se ne nuk e patëm lehtë të ngriheshim në këtë luftë vigane kundër përbindëshit më të madh të kohës.” (“Kështjella”, f.244). Kjo ishte vija politike e neutralitetit dhe strategjia ushtarake mbrojtëse e Shqipërisë moniste.

Po sot? Sot, duke eleminuar të gjitha llojet e Forcave të Armatosura, natyrisht, fortifikimi duket i kotë; prandaj dhe jemi pushtuar pa luftë, dhe jemi në luftë pa luftë; kemi mbetur një milionë dhe nuk ushqehemi dot nga bujqësia e blegtoria jonë; ¾ e popullsisë kanë ikur dhe punojnë për botë, prandaj është hequr Çajupi nga programi mësimor i shkollave, ngaqë thotë: “Mjaft punove për të tjerë, o fatkeq!  Kujto vëndë tek ke lerë dhe tek heq.”

Duke organizuar një mbrojtje të tillë, Shqipëria mbronte edhe tërësinë e unitetit kombëtar.

Por fortifikimi i vendit filloi në shkallë edhe më intensiv në vitin 1974, sipas vendimeve të udhëheqjes politike të vendit, duke përfunduar në fillim të viteve ’80-të.

Lind pyetja: Si është e mundur që, kur mbaroi fortifikimi dhe u ndërprenë investimet e mëdha e “të kota” për “programin e pazakontë të bunkerizimit”, filloi varfërimi i Shqipërisë?!

A është fortifikimi një shpikje shqiptare?

Jo. Fortifikimi nuk është një shpikje shqiptare. Ai i ka fillesat e veta prej para erës së re. Dhe kjo ndodh ngaqë lufta që zhvillon çdo shoqëri e caktuar mund të ndryshojë dukshëm nga një tjetër. Futja në armatim të artilerisë prej të dy Traktateve Ushtarake, NATO dhe ai i Varshavës, sikundër thamë, i predhave të artilerisë me mbushje bërthamore, i ndryshoi rrënjësisht jo vetëm mënyrat e sulmit, por edhe ato të fortifikimit. Nga kjo zë fill ai lloj fortifikimi me urgjencë që u bë në Shqipëri prej vitit 1974-1985, me qëllimin e vetëm që të ruhej populli dhe pavarësia e vendit, pasi mundësi të tjera për ne, si një vend i vogël, ishin shumë më të kushtueshme dhe jo të përhershme për mbrojtje.

(Vijon në numrin e ardhshëm)

Back to top button
LAJMET E FUNDIT