“BE i ka neglizhuar”/ Ministrja Gjermane: Vendet e Ballkanit nuk do ja lëmë Moskës

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock përpara nisjes së turit të  takimeve  zyrtare në Ballkanin Perëndimor  ka folur për rajonin, duke thënë se shumica e vendeve të këtij rajoni janë neglizhuar nga Bashkimi Evropian.

“Duhet ta themi sinqerisht, shumë prej këtyre vendeve i kemi zhgënjyer dhe i kemi lënë pas dore vitet e fundit”, ka thënë Baerbock, në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Ajo tha se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës tregon qartë se Evropa duhet të jetë e përgatitur të investojë strategjikisht në sigurinë e saj afatgjate, duke shtuar se kjo vlen sidomos për marrëdhëniet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Paqja e sotme në Ballkanin Perëndimor mund të mos jetë e përsosur – por është e çmuar. Aktorë si Rusia, të cilët nuk kanë interes për një të ardhme evropiane dhe nuk i shmangen nxitjes së konflikteve të pazgjidhura, po ecin drejt këtij krahu të hapur”, ka thënë Baerbock.

Shefja e diplomacisë gjermane ka thënë se qëllimi i vizitës së saj në Prishtinë, Sarajevë dhe Beograd është që të dëgjojë kërkesat që kanë qytetarët e këtyre shteteve, si dhe për të qartësuar se “rajonin që gjendet në zemër të Evropës nuk do ta lënë nën ndikimin e Moskës”.

Ditë më parë, në mbledhjen e jashtëzakonshme të ministrave të jashtëm të NATO-s është përmendur edhe rreziku i përhapjes së konfliktit në vendet e tjera pas atij në Ukrainë, duke u veçuar Bosnje e Hercegovina dhe Gjeorgjia.

Baerbock sot arrin në Kosovë ku në orën 16:30 do të pritet në aeroport nga kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla. Nga ora 17:30, ajo do të pritet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, si dhe një orë më pas do të pritet në Qeveri nga kryeministri Albin Kurti. Kjo është hera e parë që Baerbock udhëton në Ballkanin Perëndimor.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT