Berisha me deklaratë ‘urgjente’ para parlamentit: Denoncoj aktin e Ramës që “dënoi” gazetaren Ambrozia Meta me 60 ditë burg informativ

Ish-kryeministri Sali Berisha është shfaqur jashtë ambienteve të parlamentit, për të denoncuar atë që thotë se është akt “anadollak” i kryeministrit Edi Rama, ndaj gazetares Ambrozia Meta.
Berisha tha se Rama e dënoi gazetaren e “Syrit” me 60 ditë “burg informativ”, duke iu referuar batutës së kryeministrit Rama mbrëmjen e djeshme në selinë e PS ku i tha gazetares se për 60 ditë nuk do të kishte të drejtën e pyetjeve pasi e ndërpreu disa herë.
Deklarata e Berishës:
Do të denoncoja aktin e shëmtuar mizogjenik të Edi Ramës ndaj gazetares Ambrozia Meta, dënimin brutal absurd që ai i bëri me 60 ditë burg informativ. I kërkoi gazetares për faktin e vetëm se ajo e pyeti si ndihesh që tani po krijohet një grup i PS në burg, kjo mjaftoi që ai t’i heqë të drejtën e pyetjeve për 60 ditë. Dua t’u bëj thirrje deputetëve të parlamentit dhe të gjithë zonjave, të miratojmë në rezolutë dhe të dënohet me ashpërsinë më të madhe ky akt anadollak i Edi Ramës, që ka një sjellje të papranueshme ndaj vajzave, zonjave. Por natyrisht zonja Felaj nuk pranoi të më jepte fjalën, unë u detyrova të dal këtu para jush. Ai ia mbathi, dublikoi interpelancën e ministres dhe gjys ore tjetër putinizma dhe absurditete. Zoja Felaj e kuptoi që unë do ta demaskoja atë dhe ai iku, e ajo s’më dha fjalën.