“BOMBARDIMET nuk po ndalen që prej mesnatës”, Zelensky PARALAJMËRON Putinin: Ke për ta paguar atë që po i bën shtetit tonë!

Teksa, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, është duke dhënë një deklaratë për mediat ruse, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka publikuar një video të re.
Ai thotë se forcat ukrainase janë duke rezistuar, mirëpo bombardimet e qyteteve nga Rusia nuk kanë pushuar që nga mesnata.
Sipas Zelenskyt, forcat ruse kanë ndryshuar taktikë duke shënjestruar zonat civile.
“Ne nuk kemi asgjë për të humbur përveç lirisë sonë”, thotë Zelensky, duke shtuar se Ukraina po merr furnizime të përditshme me armë nga aleatët e saj ndërkombëtarë.
Presidenti thotë se forcat ruse me bombardimet e njëpasnjëshme nuk do të mund të shkatërrojnë besimin e njerëzve në Ukrainë dhe te Zoti, duke u zotuar që vendi do të rindërtohet.
“Edhe nëse shkatërroni të gjitha katedralet dhe kishat tona të Ukrainës, nuk do të shkatërroni besimin tonë, besimin tonë të sinqertë në Ukrainë dhe Zot, besimin te njerëzit. Ne do të rindërtojmë çdo shtëpi të vetme, çdo rrugë të vetme, çdo qytet të vetëm. Dhe ne po i themi Rusisë – mësoni fjalët “reparacione” dhe “kontribute”. Ju do të na paguani plotësisht për atë që keni bërë kundër shtetit tonë, kundër çdo ukrainasi tonë.”, tha Zelensky.