Bordi i Transparencës publikon çmimet: Ja sa do të kushtojë nafta dhe gazi sot dhe nesër

Bordi i Transparencës për Çmimet e Hidrokarbureve ka publikuar çmimin me të cilin do të shiten në treg karburantet, për ditën e sotme dhe nesër, 23 mars.
Sipas njoftimit të bordit, nafta dhe benzina me pakicë për këto dy ditë do të shiten me 221 lekë/litër, ndërsa gazi do të kushtojë 93 lekë/litër.
Krahasuar me vendimin e mëparshëm, çmimet e naftës dhe benzinës janë rritur përkatësisht me 18 dhe 5 lekë për litër, ndërsa çmimi i gazit mbetet i pa ndryshuar, 93 lekë/litri.
Njoftimi i Bordit të Transparencës:
Bordi i Transparencës i ngritur me vendim Qeverie, me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë, në datë 21 mars 2022, në mbledhjen e tij të radhës, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, vendosi:
Çmimi me shumicë i nënproduktit gazoil do të jetë 221 lekë/litër, dhe nënproduktit benzinë për periudhën 22 mars-23 mars 2022, të jetë 199 lekë/liter.
Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 22 mars -23 mars 2022, të jetë 221 lekë/litri.
Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228 për periudhën 22 mars-23 mars 2022, të jetë 211 lekë/litri.
Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gaz për periudhën 22 mars-23 mars 2022, të jetë 93 lekë/litri.
Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datë 22 Mars, ndërkohë që mbledhja e ardhshme e këtij Bordi do jetë ditën e Mërkurë, datë 23.03.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.
Organet ligjzbatuese do kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të zbatohen penalitetet e përcaktuara në Aktin Nortmativ.