Çfarë ndodhi dje në Elbasan? Nga BMW-ja e bërë “shosh”, te prangosja e Nuredin Dumanit në Fier! Në hije pista e Talo Çelës

Nuredin Dumani, 39 vjeç, është një nga personat e arrestuar mbrëmje e djeshme nga Forcat Speciale në qytetin e Fierit, shkruan neësbomb.al. Ka dyshime se Dumani kishte shkuar në Elbasan për të vrarë armikun e tij Talo Çela, por ky i fundit ishte në dijeni dhe 39 vjeçari nga Dibra ra në kurth e mbeti i plagosur.

Menjëherë u nis drejt Fierit dhe aty u lokalizua në një bllok pallatesh në lagjen “Apolonia”. RENEA zbarkoi brenda disa minutash në qytet dhe e prangosi teksa qëndronte në një apartament bashkë me një person tjetër. I shumëkërkuari Nuredin Dumani ishte i armatosur, por edhe i plagosur.

Nën masa të rrepta sigurie dhe i shoqëruar nga dy furgonë të Forcave Speciale RENEA, 39 vjeçari u nis drejt spitalit të Traumës në kryeqytet. Një plumb në shtyllën kurrizore detyroi Policinë që të merrte masa për dërgimin e tij për mjekim të specializuar drejt Tiranës.

Çfarë ndodhi dje në Elbasan dhe Fier, kronologjia e ngjarjeve që sollën prangosjen e Dumanit

Policia njoftoi se rreth orës 17:35, në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në rrethana ende të paqarta, ishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të një mjeti tip BMW, targat e të cilit rezultonin të vjedhura në Durrës, në prill të vitit 2021, dhe i përkisnin një mjeti tipm”Opel”.

Personat që ishin në mjeti, e braktisën dhe u larguan. Në afërsi të fshatit Papër shkuan dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Elbasanit. Natyra e atentatit dhe mënyra e organizimit ngriti në këmbë Policinë, sepse u kuptua që nuk bëhej fjalë për ngjarje ordinere por një “larje hesapesh mes kokash”.

Ka dyshime se ishte i përfshirë dhe i shumëkërkuari tjetër Talo Çela. Kryepolici Gledis Nano, drejtori dhe nën/drejtori i Elbasanit Ardian Çipa e Ilir Proda dhe prokurori Kreshnik Ajazi dolën në konferencë për mediat, por nuk dhanë shumë detaje. Ata u pyetën dhe për Talo Çelën, por u shprehën se për shkak të sekretit hetimor nuk mund të tregonin më tepër.

Prishja e pazareve bëri që dy miqtë të ktheheshin në armiq të përbetuar. Sipas burimeve jozyrtare, Nuredin Dumani ishte nisur të vriste armikun e tij të fundit por nga atentator u kthye në pre. Ai ra “viktimë” e atentatit që do të kryente vetë në kryqëzimin e Peqinit, pasi Talo Çela ishte vënë në dijeni dhe e priste.

Makina ku udhëtonte Nuredin Dumani u sulmua me breshëri automatiku nga një makinë tjetër. Për pasojë, 39 vjeçari mbeti i plagosur dhe u nis drejt Fierit, shkruan neësbomb.al, ku do të arrestohej pak orë më vonë. RENEA kontrollonte në këmbë kodrat e fshatit Papër, edhe pse zyrtarisht nuk dihej nëse armiku i Dumanit kishte qenë aty.

Një telefonatë për ndihmë në spitalin e Fierit, për një person të plagosur me armë, bëri që Forcat Speciale të shkonin në qytet me shpejtësi dhe të rrethonin lagjen “Apolonia”. Drejtues të Policisë së Elbasanit u panë të pranishëm vetë në Fier dhe pas disa momentesh nxorën me pranga në duar Nuredin Dumanin.

Njeriun që e kërkonin prej vitesh për të paktën 7 vrasje, tashmë mbante në dorë byzylykët e hekurt. I plagosur në shtyllën kurrizore dhe në gjendje jo të mirë shëndetësore, Nuredin Dumani u mbajt për disa minuta në spitalin e Fierit dhe u nis më pas drejt Traumës. Policia konfirmoi pas mesnate prangosjen e 39 vjeçarit nga Dibra dhe të tre personave të tjerë. Për Talo Çelën nuk ka asnjë informacion.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT