Cilët do jenë anëtarët e Bordit dhe si do vendoset çmimi i naftës, Rama: Nëse abuzoni, pikën tuaj të karburantit e merr shteti!

Kryeministri Edi Rama u ka bërë të qarë grosistëve të naftës sot se, nëse ata abuzojnë me çmimet pika e tyre e biznesit do të merret në administrim nga shtetit. Përfaqësuesit e naftës do të jenë pjesë e një Bordi Kombëtar bashkë me përfaqësuesit e qeverisë dhe aty do vendoset një çmim fiks për naftën, që do jetë i njëjtë në të gjithë Shqipërinë.

“Të gjithëve do ju jepet çmimi që do shfaqet në tabelë ditën e nesërme, nga Bordi… Çdo furnizues që do vendos në tabelë një çmim të ndryshëm nga ai që vendos Bordi, do humbasë pikën e furnizimit. Kjo do jetë e sanksionuar në ligj. Pika e furnizimit merret në administrim nga shteti”, u shpreh ndër të tjera kryeministri, teksa bëri të qartë se mbledhja e parë e parë e Bordit do të jetë nesër.

Gjithashtu, Edi Rama zbuloi se qeveria do të krijojë rezervën e vetë të karburantit, duke përdorur Albpetrolin për të pasur aktorin e vetë. Për biznesmenët e naftës tha se këto kohë nuk do të shkojnë në shtëpi me fitim, ama as me humbje jo. Anëtarët e Bordit Kombëtar do te jenë ministret e Energjisë dhe Financave, Balluku dhe Ibrahimaj, drejtori i Tatimeve Enton Duro, drejtori i Doganave Gent Gazheli, si dhe kryetari i Autoritetit të Konkurencës, Denar Biba.

“Ndryshe nga të tjerët ju nuk do shkoni në shtëpi në darkë me humbje, pro ama nuk do shkoni me fitim. Do shkoni në darkë dhe do flini me idenë se i shërbyet popullit tuaj në kohë lufte,. Asnjë bamirësi, vetëm një shërbim”, shtoi ai.

Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama:

Të gjithëve do ju jepet çmimi që do shfaqet në tabelë ditën e nesërme, nga Bordi. Nuk është as qëllimi dhe as prirja e qeverisë të imponojë çmime. Ama do garantojmë transparencën e plotë të çmimit dhe pastaj do thotë fjalën e fundit. Me objektivin që furnizimi të jetë i garantuar. Të jetë me një çmim ku të ardhurat e furnizuesve janë vetëm për të rezistuar pa humbje, jo për të fituar. Marzhi i fitimit do të ngrijë sipas vendimit që do të marrë Bordi. Çdo furnizues që do vendos në tabelë një çmim të ndryshëm nga ai që vendos Bordi, do humbasë pikën e furnizimit. Kjo do jetë e sanksionuar në ligj. Pika e furnizimit merret në administrim nga shteti.

Ne si qeveri do të angazhohemi për të krijuar rezervën e vetë, duke përdorur Albpetrolin, për të pasur aktorin e vetë për ditë të këqija kuptohet. Ne do jemi 100% në dispozicion për çdo ndihmë nëse do shohim që problematika e furnizimit do të agravohet. Ju do jeni 100% në dispozicion për të qenë në lartësinë e kësaj sfide. Kjo është një situatë e jashtëzakonshme.

Pjesa që ka mundësi nuk mund të jetë viktimë e spekulimit, e abuzimit, e çmimeve që kërcejnë a thua se janë tabelat e Da Johnsit dhe jo tabelat e një pike karburanti. Nuk ka sens që në këtë kohë një furnizues ka një çmim 240, tjetri shkon 260, tjetri ja fut 270. Këto janë gjëra që ndodhin në kohë normale se këtë sistem kemi zgjedhur. Por sot jo, kjo nuk tolerohet dhe nuk ka për t’u toleruar. Kush shkon te pika e karburantit do ta dijë ekzaktësisht se për çfarë po paguan.

Ndryshe nga të tjerët ju nuk do shkoni në shtëpi në darkë me humbje, pro ama nuk do shkoni me fitim. Do shkoni në darkë dhe do flini me idenë se i shërbyet popullit tuaj në kohë lufte,. Asnjë bamirësi, vetëm një shërbim.

 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT