Dita e 18 e luftës! Sirena e alarmit dëgjohet në disa qytete ukrainase, goditet dhe baza ushtarake në Lviv

Ukraina po përballet me luftën e Rusisë prej më shumë se dy javësh. Sirenat e sulmit ajror kanë rënë gjatë gjithë natës së kaluar në Lviv dhe shumë rajone të tjera ukrainase.

Teksa pushtimi i ushtrisë së presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, ka hyrë në ditën e 18 këtë të diel, disa dëshmitarë okularë kanë thënë për BBC se kanë dëgjuar shpërthime në qytetin perëndimor të Lviv.

Lviv është një bastion në Ukrainën perëndimore, ku aktualisht janë të vendosura shumë ekipe të mediave të huaja, dhe një qytet ku shumë refugjatë po kalojnë gjatë ikjes nga Ukraina.

Sipas mediave të huaja, zyrtarët ushtarakë të Lviv konfirmuan se forcat ruse kryen një sulm ajror dhe qëlluan me tetë raketa në bazën e stërvitjeve ushtarake, ne Qendrën Ndërkombëtare të Paqeruajtës dhe Sigurisë. Nga zona thuhet se u panë shtëllunga të mëdha tymi.

Dëshmitarët okularë kanë thënë gjithashtu për BBC se kanë dëgjuar shpërthime edhe në qytetin perëndimor të Ivano-Frankivsk.

Sirenat e sulmit ajror janë dëgjuar në disa zona të Ukrainës, raporton agjencia ukrainase e lajmeve Ukrinform. Alarmet ranë në Zhytomyr, në perëndim të kryeqytetit Kiev, si dhe në rajonet Ternopil, Rivne dhe Ivano-Frankivsk në perëndim.

Sirenat kanë rënë gjithashtu në rajonin Volyn në veriperëndim dhe Kramatorsk në Ukrainën lindore.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT