“I frikësohen një pushtimi nga Rusia”, Moldavia kërkon “garanci të forta” nga SHBA

A do të jetë Moldavia shteti i radhës që do të pushtohet nga Rusia?! Kjo është frika që kanë dy drejtueset gra të shtetit i vogël në kufi me Ukrainën. Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken ka qenë në një vizitë zyrtare atje, pas takimeve më parë në Poloni dhe Ukrainë.
Blinken është takuar me dy gratë që drejtojnë këtë vend: Kryeministren Natalia Gavrilita dhe Presidenten Maia Sandu. Moldavët duan garanci të forta për sigurinë e tyre, ndërkohë që javën e kaluar disa ditë pas pushtimit të Rusisë, ata aplikuan për anëtarësim në BE.
Nuk ka asnjë provë konkrete për të konfirmuar frikën moldave, por ajo bazohet në një histori të vjetër prej dekadash. 128 km në lindje të kryeqytetit, në kufirin me Ukrainën, është rajoni i Transnistria i mbështetur nga Rusia që u shkëput nga Moldavia në vitin 1990.
Moska ka ende një bazë ushtarake atje, me rreth 1500 ushtarë.
Sekretari Blinken i pyetur nga mediat ndërkombëtare se çfarë garancish ofron për Moldavinë, ai tha “Ju e keni parë përgjigjen globale që ne kemi mobilizuar kundër agresionit të Rusisë, kurdo dhe kudo që mund të shfaqet ai agresion, ne do të bëjmë të njëjtën gjë.”
Ai tha gjithashtu se do të kërkonte fonde për të ndihmuar Moldavinë të kujdeset për refugjatët ukrainas që ka pranuar. Moldavia është një nga vendet më të varfra dhe më të vogla në Evropë.