“Jahti i Abramovich lundron në bregdetin shqiptar”/ Qeveria hedh poshtë lajmin e “Reuters”: Ndodhet në…

Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Infrastrukturës kanë  reaguar në lidhje me lajmin e raportuar nga agjencia e lajmeve “Reuters”, ku thuhej se jahti i oligarkut rus Roman Abramovich ndodhej në ujërat shqiptare.

Sipas Ministrive, jahti luksoz “Solaris” është momentalisht duke lundruar në ujëra ndërkombëtare, mes Shqipërisë dhe Italisë, ndërsa shtohet se mjeti është nisur nga porti turistik “Marina Montenegro” në Tivar, Mal i i Zi.

“Lidhur me lajmin e publikuar sot në media, për hyrjen në ujërat territorialë të Republikës së Shqipërisë, të një mjeti lundrues në pronësi të shtetasit rus, Roman Abramovich, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron se:

Nga verifikimet e kryera në sistemet e monitorimit të trafikut detar “Marine Traffic”, rezulton se mjeti lundrues “Solaris” është nisur nga Porti turistik Marina Montenegro në Tivat, Mali i Zi dhe po lëviz për në jug drejt Detit Mesdhe.

Mjeti lundrues i mësipërm, aktualisht është duke lundruar në ujërat ndërkombëtare, midis Italisë dhe Shqipërisë, në drejtim të Jugut dhe nuk ka ndaluar apo hyrë në ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në reagim.

Reauters raportoi sot se të dhënat e gjurmimit të anijes Refinitiv treguan se jahti 600 milionë dollarësh i Abramovich, “Solaris” kishte ndezur motorët në brigjet e Shqipërisë të martën në mëngjes me statusin “në pritje të urdhrave”.

Destinacioni i tij u raportua të ishte  Turqia  pas nisjes nga Mali i Zi, por ky destinacion u ndryshua të hënë në mbrëmje.

Ndërkohë autoritetet shqiptarë kanë mohuar se mjeti luksoz ujor i oligarkut Abramovich ndodhet në ujërat territoriale shqiptare. Sipas ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Infrastrukturës mjeti lundrues aktualisht është duke lundruar në ujërat ndërkombëtare, midis Italisë dhe Shqipërisë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT