Kërcënon Rusia, Lavrov: E papranueshme që armë bërthamore amerikane janë në Europë, të kthehen mbrapsht

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë në Konferencën e OKB-së për Çarmatimin në Zvicër se është koha që armët bërthamore amerikane në Evropë të kthehen në shtëpi.

Lavrov pritej të shfaqej personalisht në Gjenevë, por ndalimet e udhëtimit e penguan këtë – kështu që në një mesazh të regjistruar paraprakisht ai tha se Rusia ishte e gatshme të fliste për stabilitetin strategjik me SHBA-në, por ai paralajmëroi se Perëndimi nuk duhet të ndërtojë objekte ushtarake në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.

Ai gjithashtu dukej se shfaqte një justifikim të ri të pushtimit rus në Ukrainë – për të parandaluar që Ukraina të merrte armë bërthamore.

“Për ne është e papranueshme që armët bërthamore amerikane të mbeten ende në një numër shtetesh evropiane në kundërshtim me pikat themelore të Traktatit të Mospërhapjes. Praktika e keqe e misioneve të përbashkëta bërthamore me pjesëmarrjen e shteteve jo-bërthamore të NATO-s vazhdon. Në misione të tilla, po praktikohet përdorimi i armëve bërthamore kundër Rusisë”, vuri në dukje ai.

“Armët bërthamore amerikane duhet të ishin kthyer prej kohësh në shtëpi dhe infrastruktura përkatëse në Evropë duhet të jetë eliminuar prej kohësh”, tha ai.

Të udhëhequr nga Ukraina, shumë ambasadorë, përfshirë ata të Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Australisë, Kanadasë, SHBA-së dhe BE-së, u larguan ndërsa Lavrov filloi të fliste.

Ministri i Jashtëm i Rusisë gjithashtu do të flasë sërish – edhe një herë me lidhje video dhe me siguri të regjistruar paraprakisht – në këshillin e OKB-së për të drejtat e njeriut së shpejti.

Ai tha gjithashtu në një takim për çarmatimin e Gjenevës të martën se Kievi ka kërkuar të marrë armë bërthamore, duke e quajtur këtë një rrezik real që duhej të parandalonte.

“Ukraina ka ende teknologji sovjetike dhe mjete për dërgimin e armëve të tilla”, tha Sergei Lavov në Konferencën për Çarmatimin me bazë në Gjenevë në një fjalim të regjistruar paraprakisht. “Ne nuk mund të mos reagojmë ndaj këtij rreziku real,” tha ai.

Në të njëjtin takim, ministri i jashtëm i Ukrainës akuzoi Rusinë për krime lufte përmes granatimeve të vendit të tij dhe bëri thirrje për një takim të posaçëm për të trajtuar agresionin rus dhe armët e shkatërrimit në masë.

Pjesë nga deklarata e Lavrovit

Sot rreziqet që paraqet regjimi i V.Zelenskit për vendet fqinjë dhe sigurinë ndërkombëtare në tërësi, janë rritur ndjeshëm pasi autoritetet e vendosura ne Kiev, nisën lojëra të rrezikshme të lidhura me planet e pajisjes me armë bërthamore.

Ju siguroj se: Rusia, si një anëtar i përgjegjshëm i komunitetit ndërkombëtar, e përkushtuar për të përmbushur detyrimet e marra për mospërhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mos lejuar shfaqjen e armëve bërthamore dhe teknologjive përkatëse në territorin e Ukrainës.

Është e papranueshme për ne, që në kundërshtim me dispozitat themelore të Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore (NPT), në territorin e një numri vendesh evropiane ndodhen, si më parë, armë bërthamore të SHBA-ve. Prej kohësh tashmë këto armë bërthamore amerikane duhej të ishin kthyer në SHBA, ndërsa infrastruktura e tyre në Evropë të eliminohet plotësisht.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT