Kërkesa për heqjen e taksave të naftës/ Rama: Absurde, bota është kthyer përmbys, duhet të përballemi me luftë

Kryeministri Rama teksa ka dalë në një konferencë për shtyp për situatën e rritjes së çmimeve në vend ka komentuar dhe kërkesën për heqjen e taksave të naftës.
Rama e konsideroi absurde këtë kërkesë, teksa shtoi se qeveria e tij po mban të palëvizur çmimin e energjisë elektrikë, që sipas tij është rritur më shumë se i naftës. Kryeministri theksoi se tregu i naftës është i lirë dhe Qeveria nuk mund të ndërhyjë.
“Këto 12 ditë është kthyer bota përmbys, jemi në kushte lufte. Lufta për fat të mirë nuk zhvillohet fizikisht këtu, bombat nuk janë mbi kokat tona, familjet tona nuk po ndahen si ato në Ukrainë, por impakti i asaj që po ndodh atje është qartësisht i prekshëm këtu në ekonominë e vendit dhe detyrimi jonë është të garantojmë vazhdimësinë me sa më pak dhimbje, por pa dhimbje luftë nuk ka, të jemi shumë të qartë. Nuk është as vullneti ynë, nuk është as në mundësitë tona që ta shmangim, duhet ta përballim dhe duhet të kemi bindjen se siç ja dolëm në përballjet e tjera, do ia dalim edhe në këtë. Kjo është më e keqja se tërmeti e pandemia, pro duhet të kemi shumë vendosmëri e besim dhe me siguri do ja dalim.
Na kërkojnë të ulim çmimin e naftës, madje ka dhe propozime absurde për heqjen e taksave. Kjo qeveri ka bërë atë që nuk e ka bërë asnjë qeveri, po mban të palëvizur në kushtet e një kërcënimi shumë herë më të lartë se çmimi i naftës, çmimin e energjisë. Kjo kushton çdo ditë shumë. Kjo kosto përballet pikërisht falë kontributeve. Nuk ka më asnjë hapësirë për të hequr taksa, kemi me zero taksë mbi fitimin, me zero TVSH, biznesin e vogël, kemi përgjysmuar taksën mbi pagën 500 mijë lekë të vjetra, kemi ulur pjesën tjetër të sipërme, dhe nuk ka ku lëvizim më nga pikëpamja e heqjeve. Ne jemi në kushte përpjekjeje të vazhdueshme, me dhëmbë po e mbajmë çmimin e energjisë”, u shpreh kryeministri Rama.