Kremlini ia bën të qartë NATO-s: Çdo ndihmë ndaj Ukrainës do ketë pasoja të rënda

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka paralajmëruar NATO-n se dërgimi i trupave të saj në Ukrainë, do kishte pasoja të rënda, duke e cilësuar dhe si një veprim jashtëzakonisht të rrezikshëm.
Në një deklaratë për gazetarë, me ton kërcënues, Peskov tha se çdo kontakt midis forcave ruse dhe NATO-s mund të ketë pasoja të rënda që janë të vështira për t’u korrigjuar.
Javën e kaluar Polonia njoftoi se do të paraqesë një propozim për një mision paqeruajtës në Ukrainë në samitin e ardhshëm të NATO-s. Edhe ministri i Jashtëm rus, Serghei Lavrov, theksoi se me dërgimin e një misioni paqeruajtës do të kishte konfrontim të drejtpërdrejtë midis forcave ruse dhe NATO-s që të gjithë janë përpjekur ta shmangin dhe që të gjithë kanë thënë se nuk duhet të ndodhë.
Përfshirja e NATO-s në konfliktin në Ukrainë do ta çonte botën zyrtarisht në Luftën e Tretë Botërore, duke qenë se do kërkohej angazhimi i të gjitha vendeve që janë anëtare në aleancë për t’u përballur me Rusinë dhe aleatët e saj. Nga ana tjetër , do të rriste rrezikun që Rusia të sulmonte çdo vend tjetër evropian.