Me postblloqe e të armatosur deri në “fyt”/ Si po përgatiten ukrainasit për mbërritjen e rusëve në Kiev

Qyteti i Kievit është në alarm të plotë. Heshtjen që ka pllakosur vendin, shumë shpejt do ta thyejnë përplasje, plumba, raketa.
Ushtarët ukrainas në pritje të një sulmi të fortë nga Rusia janë përgatitur për më të keqen.
Ata kanë vendosur blloqe rrugore antitank; grumbuj thasësh me rërë; barriera të improvizuara të ndërtuara nga copa metali, druri, goma të vjetra ose çdo gjë që ishte në dorë.
Qyteti është jashtëzakonisht i qetë. Shumë njerëz kanë ikur ditët e fundit. Ata që kanë qëndruar janë ngujuar në depo dhe në vend të sigurt për të mos u lënduar nga bombat, duke shfrytëzuar bodrumet dhe stacionet e metrove.
Ushtarët në postblloqe janë duke buzëqeshur. Kur kalon një makinë, ata përshëndesin pasagjerët e saj, përshëndesin me dorë dhe u urojnë udhëtim të sigurt, kudo që të shkojnë.
Burrat këtu po përpiqen të mbajnë moralin lartë, megjithëse e dinë shumë mirë se armiku me të cilin po përballen është shumë më i pajisur me armë se ta.
Ndërkohë Rusia ka grumbulluar një kolonë ushtarake 40 milje (64 kilometra) — e përbërë nga automjete të blinduara, tanke, artileri tërheqëse dhe mjete të tjera logjistike — që po i afrohet periferisë së Kievit. Shumica — por jo të gjithë — e burrave në rrugët e kryeqytetit janë të pajisur me pushkë. Ata janë vendosur përgjatë rrugës që lidh qendrën e qytetit të Kievit me periferitë e tij.