Nën sekuestro inceneratori i Fierit, SPAK bllokon 4 pasuritë e ish-ministrit Koka dhe një apartament i deputetit Bllako

SPAK ka sekuestruar inceneratorin e Fierit, por në të njëjtën kohë ka bllokuar pasurinë e disa prej zyrtarëve të lartë ku përfshihen ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe deputeti i PS-së, Alqi Bllako.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë ka vendosur caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për personin juridik “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., me seli qëndrore në Tiranë, së bashku me të gjitha pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi.

Ndër vendimet e tjera është edhe caktimi i masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për 4 pasuri të paluajtshme në zotërim të shtetasit Lefter Koka, me sipërfaqe totale prej 3 344.8 m2.

Këto pasuri kanë një vlerë ekuivalente që përmbush vlerën e përfituar në mënyrë të paligjshme në shumën 146,083,071 lekë.

Caktimi i masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për pasurinë në zotërim të shtetasit E. B., lloji i pasurisë “apartament”, me sipërfaqe 99.48 m2, me adresë Tiranë, me vlerë sipas kontratës shitblerjes në shumën 144,246 Euro, që përmbush vlerën ekuivalente të përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Alqi Bllako në shumën 14,964,900 lekë. Sipas burimeve mësohet se apartamenti është në pronësi të babait të tij.

SPAK mësohet se i është drejtuar Parlamentit shqiptar për të arrestuar deputetin socialist, që dikur ka qenë sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Mjedisit.

“Për shtetasin Alqi Bllako, nisur nga fakti që është i zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme bazuar në parashikimet e nenit 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 288/1/2 të Kodit të Procedurës Penale, do të paraqesë kërkesë Kuvendit për dhënie të autorizimit për caktimin e masës sigurimit personal “arrest në burg””, thekson SPAK.

Nga hetimet e deritanishme të SPAK, ka rezultuar se Alqi Bllako, kur mbante detyrën e ish-Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, ka paraqitur dokumente të falsifikuara për shpronësimin e tokës ku u ndërtua inceneratori i Fierit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT