“Nuk është e pazakontë që të infiltrohen të tjerë”. Interesat ruse po ushqejnë protestat në Tiranë? Dy qëndrimet e djeshme

Duke folur dje në një intervistë televizive për protestat e ditëve të fundit, kryeministri Edi Rama i quajti ato si protesta të pakicës dhe aludoi që pas tyre nuk fshihej thjesht opozita Berisha-Meta.
“Vë në diskutim moralin e kësaj maskarade, por dhe shumë të tjera vë në diskutim. Nuk është e pazakontë që të infiltrohen të tjerë, por edhe ata të tjerët që i sponsorizojnë, pas këtyre” – u shpreh kryeministri.
Kush janë “të tjerët”? Faqja Lexo.al afër qeverisë, shkruan se ndikimi rus nuk përjashtohet në këto protesta.
“Në çdo raport ndërkombëtar thuhet hapur se çdo skenar dhune apo krize politike në Ballkan këto kohë, mund të ushqehet dhe shfrytëzohet nga Moska. Vetëm para pak ditësh, Ministri i Jashtëm Rus Sergei Lavrov hoqi paralele mes zhvillimeve në Ballkan dhe Ukrainës. Sa herë Shqipëria ka nevojë për unitet, dyshja Berisha-Meta ka prodhuar ekzaktësisht të kundërten, ngjarje destabilizuese. Dhe këtë e bëjnë “në emër të popullit”. Ka edhe një hetim për Bashën për financimin e PD me fonde ruse”.
Kurse kanali afër familjes Berisha, Syri TV thotë që protestat ushqehen nga shantazhi i Ramës, i cili sipas tyre nuk mund të jetë më kryeministër:
“Një kryeministër i tillë nuk mund të jetë më kryeministri i shqiptarëve, pasi në çdo fjalë që nxjerr nga goja, qëllimi i tij është të frikësojë dhe të shantazhojë me arrogancë shqiptarët e ndershëm të cilët po kalojnë momentet më të këqija nga rritja galoponte e çmimeve, duke mos përmbushur dot nevojat e tyre bazë të ushqimit”.
Protestat nisën disa ditë më parë pas thirrjeve në rrjete sociale. Pas ditës së tretë në to nisën të shfaqen politikanë të opozitës, megjithë thirrjet e organizatorëve që ata të mos përziheshin. Protesta e radhës pritet nesër në orën 17.00.