“Po luhet Kosova”/ Daçiç del me teorinë e re: Ata që na kërkojnë t’i vendosim sanksione Rusisë, janë kundër Serbisë

Kryetari i Parlamentit serb, Ivica Daçiç deklaroi të mërkurën se Serbia nuk ka interes të ndjekë politikën e saj në përputhje me interesat e Perëndimit apo Lindjes, por në përputhje me interesat e saja dhe shtoi se ata që i bënin thirrje Serbisë të vendosë sanksione ndaj Rusisë nuk ishin kundër Rusisë, por kundër Serbisë.

“Jemi në një situatë ku duhet të zgjedhim një anë, pikënisja e secilit është interesi i tij dhe ne nuk kemi interes të ndjekim politikën tonë në përputhje me pritshmëritë e Lindjes apo Perëndimit, por në përputhje me interesat tona”, tha Daçiç për RTS.

Ai shtoi se Serbia po merrte parasysh mesazhet e Brukselit, por se ishte e detyruar të përafronte politikën e saj të jashtme me BE-në në mënyrë graduale përpara se të anëtarësohej në Union.

“A do të na thonë se ne do të anëtarësohemi në BE nesër dhe se ne mund të rreshtojmë politikën tonë të jashtme sot në krah tyre? Jo, ata thonë se kjo do të ndodhë pas 10, 20 apo 30 vjetësh. Në rregull, ne do të rreshtojmë politikën tonë të jashtme pas 10 ose 20 vjet”, tha Daçiç.

“A do ta ç’njohin shtetet perëndimore Kosovën dhe do të ndalojnë shkeljen e integritetit territorial të Serbisë?” pyeti ai.

“Ata që i bëjnë thirrje Serbisë të vendosë sanksione ndaj Rusisë nuk janë kundër Rusisë, por kundër Serbisë, shtoi ai.

“Ata (Perëndimi) do të kërkojnë pranimin e Kosovës në NATO dhe OKB dhe kujt mund t’i drejtohemi atëherë? Rusisë dhe nëse vendosim sanksione ndaj saj, nuk do të kemi kujt t’i drejtohemi. Rikthe parimin e integritetin tonë territorial, kthejeni mbrapsht njohjen e Kosovës dhe pastaj mund të flasim”, tha Daçiç.

Ai vuri në dukje se i vjen keq për zhvillimet në Ukrainë dhe tha se ukrainasit ishin një komb vëllazëror. “Ne kemi dhembshuri për të gjithë ata që vuajnë. Ne mbrojmë parimin e integritetit territorial, por duhet të kujdesemi për interesat tona”, tha Daçiç, duke vënë në dukje se vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë do të nënkuptonte se Kosova do të pranohej në OKB.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT