Protestën nuk po e shpërfill Rama por qytetari

Artan Xh. Duka Prof. As. Dr.
Boll vodhët, apo boll… vollët!
E nisur për çështje të ndjeshme sociale që prekin shumicën në vënd, protesta e këtyre ditëve po e humbet vrullin e saj. Dhe kjo, ose sepse qytetarët nuk po tregojnë angazhimin e emancipimin e pritshëm demokratik, ose, vetë protesta po humbet identitetin qytetar dhe braktisja e saj është në vetvete qytetari!
Protestat e mirëfillta qytetare nuk para çajnë kollaj në një shoqëri të polarizuar politikisht dhe për fat të keq, disi indiferente ndaj problemeve të tjetrit si pasojë e mbijetesës në tranzicion. Rëndom paragjykohen, injorohen apo dhe nënvlerësohen duke mos mbushur dot sheshe e mbyllur shpejt.
Politika e përfoluar e tranzicionit, në mos i ka dekurajuar, ka tentuar gjithmonë t’i përdorë ato. Prania në sheshe e militantëve dhe kokave partiake mund të elektrizojë dhe japi një hov grumbullimit e protestës në shesh por në kurriz të integritetit e identitetin qytetar të saj.
Urojmë që këtë fat të mos e ketë edhe protesta ekonomike e ditëve të fundit. Ndonse momenti i zgjedhur stonon në kontekstin e luftës në Ukrainë, sa kohë ajo nis e mbaron qytetare, respekton faktet dhe palën përballë, bëhet zëdhënëse e shqetësimit të ligjshëm qytetar duke ngritur “stekën” e veprimit demokratik, ajo mbetet e mirëpritur, bile e vonuar në kohë.
Ndryshe, nëse tjetërsohet nga politika e paskrupullt dhe degradon me tam-tame në hava “Boll vodhe?!”, nuk habit kënd kur përgjigja vjen… “Boll volle!”
Protesta nuk matet me “hijen e mëngjezit”
Sfidë për protestën e sotme mbetet mbajtja larg e politikës së kulisave. Një protestë qytetare mirëkuptohet edhe në kontekst lufte por e papranueshme dhe amorale do ishte instrumentalizimi partiak i saj.
Zgjedhjet e 6 marsit kanë krijuar një moment dalldie në atë fragment të opozitës që po vuan prej muajsh sindromën e të padëshirueshmit nga aleati i madh. Kjo lloj opozite, në mos nxitëse, është e interesuar për çdo ngjarje që nxjerr turma në shesh. Nuk ka më asgjë për të humbur dhe tensionimi e dalja e situatës politike e ekonomike nga kontrolli është habitat normal për të.
Ndaj dhe jo e gjithë prania në shesh është domosdoshmërisht mbështetje për kauzën qytetare. Drejtuesit e protestës nuk bën të maten me “hijen e mëngjezit” kur hedhin sytë nga turma ku jo rrallë zhurmën më të madhe e bëjnë militantët që janë aty për tjetër gjë. Ajo që vlen është kauza, qoftë dhe i vetëm në shesh!
“Armiku i armikut tim, është miku im” (njëlloj si retorika e djeshme e “alencës së qelbësirave”), nuk ka lidhje me qytetarinë në shesh dhe organizatorët, kur thërrasin një protestë qytetare, duhet t’i dalin për zot asaj. Në mos t’i mos i ishin futur fare asaj pune sepse qytetari nuk i ka asnjë borxh bedelave, naivëve apo militantëve në podiume që tensionojnë ditën e tij, inkurajojnë politikën e kulisave e rrënojnë besimin tek protesta qytetare si institucion. Do të ishte shërbimi më i keq ndaj demokracisë dhe protesta të këtij lloji vetëm qytetare nuk janë.
I ftuat në protestë… dilini për zot asaj!
Organizatorët kanë përgjegjësi qytetare kur thërrasin njerëzit në shesh. Protesta qytetare ka nevojë për strategji në fjalë, veprim e organizim për të ruajtur integritetin e saj. Vetëm kështu ajo ngjall besim tek publiku për t’iu bashkuar më pas asaj pa dallim partiak.
Organizatorët e protestës duhet që të mos lejojnë dhe nëse ndodh, duhet të distancohen nga çdo përpjekje që tenton futjen e frymës së protestës në ullukun e interesave të politikës së kulisave apo provokon tensione sociale në vënd.
Me këtë protestë organizatorët kanë marrë një barrë të madhe përsipër në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe babëzitjes së opozitës problematike për t’a përdorur atë. Nuk duhet të lejojnë që kjo protestë të marrë emër të keq në kushtet kur bota vuan pasojat e luftës, as të jetë mashë për të nxjerrë “gështenja” nga zjarri për të damkosurit në demokraci, as të bëjnë të paditurin, larg qoftë bedelin apo t’ia lënë zhvillimet rastësisë.
Karakteri qytetar duhet ruajtur me fanatizëm, në thirrje dhe veprim duke shmangur apo veçuar çdo thirrje dhe sjellje militantësh partiak. Deviza e saj mbipartiake duhet të shmangë çdo paragjykim ndryshe stonon kur, ndërsa ironizohen së toku në postera Rama qeveritar dhe Basha opozitar(!), protagonistët e qeverisjeve dramatike të tranzicionit (që direkt apo indirekt mbështesin protestën) nuk i përmënd kush! Nëse u vodh, vëndi nuk u vodh në vetëm 5 apo 10 vite por në tre dekada me rradhë.
Sensi i masës në protestë e vijimi i kauzës me mjete politike
Një protestë qytetare dallon në thirrje e veprim. Ajo distancohet nga sokëllimat, retorikat boshe e çoroditëse, etiketimet e akuzat në hava (për të cilat ka rrugë ligjore), thirrjet intimiduese, vulgariteti, mbyllja e derës, gjuha ultimative me ngjyrime partiake, bllokimet e shesheve apo rrugëve në kurriz të normalitetit të qytetarit në punën e tij, karshillëku ndaj policisë dhe detyrës së saj për të mbajtur rregullin publik etj.
Një protestë e tillë nuk sforcohet për të shtuar rradhët e saj sepse qytetari vjen vetvetiu, nuk ka orar çelje-mbyllje apo grafik javor që lodh e zvenit frymën e protestës por lë gjurmë me simbolikën e saj, sadopak e shtrirë në vënd dhe kohë.
Dhe nëse politika e qeveria nuk reagon apo shpërfill kërkesat racionale të protestës, rradha nuk është ajo e radikalizimit jashtësistemit por përpjekja brënda tij, qoftë duke u marrë me politikë aktive (krijimin e një partie të re ose praninë e ndikimin në politikat e partive ekzistuese), apo ndjekjen e problemeve në rrugë gjyqësore.
Shpresa për mirë nuk vjen duke nxirë!
Ultimatumi nuk shkon në demokraci; vota prandaj është. Ndaj dhe futja e hundëve nga politika e kulisave, fjala e fundit e thënë e para në sheshe dhe “telenovelizimi” i protestës vetëm dëmton entuziazmin qytetar dhe ironikisht, imunizon më tej pandëshkueshmërinë dhe arrogancën e politikës së djeshme të kulisave që rigjen terren për riciklim.
Akuzat për vjedhje e abuzime nuk mund të lëshohen pa teklif në eter. Hamëndjet e kuturisjet vënd e pavënd, nëpërkëmbin të drejtën e kujtdo për respekt, dinjitet e integritet njerëzor (sa kohë gjykata nuk vendos ndryshe).
Kush akuzon për vjedhje pa nisur akuzë në gjykatë, vjedh vetë si të drejtën e fjalës së lirë ashtu dhe të drejtën e kujtdo për të jetuar e punuar pa u intimiduar e “linçuar” kuturu verbalisht.
Shpresa për më mirë nuk vjen duke nxirë dhe karikuar turma në delir. Kur ka fakte, demokracia ofron dhe protokollin politik-mediatik-juridik për të denoncuar e dënuar abuzimin me lirinë e saj. Ndryshe, anarkia e populizmi vetëm pjell apo riciklon autoritarizëm pa fre.
Protestë qytetare për pasojat por edhe për shkaqet madhore të abuzimit 30 vjeçar
Protesta qytetare me të drejtë duhet të ngrejë shqetësimin e përditshëm ekonomik e social të qytetarëve por nuk duhet të ndalet aty dhe vetë politika nuk duhet të jetë tabu. Ka plot probleme të bartura këto 30 vjet ku dy prej tyre janë dhe themelet e shtetformimit dhe përgjegjshmërisë në politikë e qeveri.
Zgjidhja e lëmshit të pronës, që deri më sot ka shkuar jo tek i zoti por tek më i zoti (për t’a zënë e më pas legalizuar atë!) dhe rikthimi i ligjit zgjedhor mazhoritar (qoftë dhe me dy raunde) “vot-për-kok” që njëlloj si zgjedhja e kryebashkiakëve, rikthen meritokracinë në politikë, respekton vullnetin e votuesit dhe fut ndrojën tek deputetit ndaj zonës së tij.
Qytetari nuk ka pse të tororiset në sheshe kur e ndjen se vota vlen. Me protestë ndërrohet sistemi, jo pushteti që bëhet me votë. Ndërkohë që drejtësia nuk ka pse pret katër vjet dhe një protestë qytetare me kauzë reale duhet mbyllur tek dera e gjykatës e jo tjetërkund.
Protesta nuk është punë numrash në shesh. Një njeri i vetëm me kauzë reale flet më shumë se mijra në delir partiak. Dhe është çështje kohe derisa të tjerë t’i bashkohen atij. Por sot sheshi po mbetet bosh jo për mungesë qytetarie. Retorikat boshe pafund, akuzat në hava në shpërfillje të fakteve, futja e hundëve nga politika etj, janë gjëja e fundit që qytetari pret nga një protestë e thirrur në emër të tij. Qytetaria e mbush ose e lë sheshin bosh. Ndaj dhe boshatisja e sheshit ndonjëherë është në vetvete qytetari. I bie…, më mirë sheshi bosh se shejtani brënda!
13 mars 2022