Reagimet/ Patozi: Herët për t’u gëzuar nga ikja e Bashës, e la fushën të minuar! Pollo: Lojrat me hapa pas…

Ish-kreu i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi, deklaron se dorëheqja e Lulzim Bashës ishte e pritshme, madje tmerrësisht e vonuar.

Në një reagim në facebook, Patozi thotë se si çdo gjë në këtë botë që zvarritet gjatë nuk është e thënë patjetër që të bëjë mirë edhe kur më në fund litari këputet.

Ndaj sipas tij  është shumë herët për ta parë atë si një çlirim të madh për fatin e mëtejshëm të Partisë Demokratike.

“Mendoj se ajo i ka shtuar edhe më shumë pikëpyetjet për perspektivën e saj politike, pasi ka lënë prapa një fushë të minuar. Tani varet shumë se si do ta lexojnë protagonistët e tjerë ikjen jo aq të padjallëzuar të kryetarit tashmë të larguar nga zyra e selisë së PD”.

“ËSHTË HERËT PËR T’U GËZUAR NGA IKJA E BASHËS! Dorëheqja e Lulzim Bashës ishte e pritshme, madje tmerrësisht e vonuar. Dhe si çdo gjë në këtë botë që zvarritet gjatë nuk është e thënë patjetër që të bëjë mirë edhe kur më në fund litari këputet. Ndaj është shumë herët për ta parë atë si një çlirim të madh për fatin e mëtejshëm të Partisë Demokratike. Mendoj se ajo i ka shtuar edhe më shumë pikëpyetjet për perspektivën e saj politike, pasi ka lënë prapa një fushë të minuar.
Tani varet shumë se si do ta lexojnë protagonistët e tjerë ikjen jo aq të padjallëzuar të kryetarit tashmë të larguar nga zyra e selisë së PD”, shkruan Patozi në rrjetet sociale.

Ndërsa Genc Pollo, i rreshtuar në krah të Berishës, e cilëson largimin e Bashës si një lajm të mirë. “Një lajm i mirë sot për demokratët e për demokracinë do të kishte qenë largimi nga zyra në respekt të rregullave e sidomos në respekt të shumicës në parti dhe në elektorat. Kjo do e unifikonte plotësisht Partinë Demokratike rreth organeve të legjitimuara. Lojrat me “hapa pas” e me dorëheqje me kushte e me trille” janë vazhdim me mjete të tjera i refuzimit të parimeve demokratike që kemi parë nga viti i shkuar. Në këto kushte deputetët demokratë lipset të bashkohen të tërë rreth Partisë Demokratike reale, legjitime dhe elektorale”, shprehet Pollo në reagimin e tij.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT