“Sanksionet nuk do e ndalin”/ Paralajmërimi nga SHBA: Putin mund të përshkallëzojë sulmet ndaj Ukrainës

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës në Shtetet e Bashkuara, Avril Haines, ka paralajmëruar se Rusia mund të përshkallëzojë sulmet ndaj Ukrainës për shkak të sanksioneve të vendosura nga Perëndimi.
Sipas Haines, sanksionet dhe ndalesat në fushëbetejë, ka pak mundësi të ndalin presidentin rus, Vladimir Putin nga synimi i tij. Duke folur në një seancë të Kongresit amerikan për kërcënimet e sigurisë globale, Haines tha se përshkallëzimi i kostove të luftës në Ukrainë, që deri tani mund të kenë shkuar në mijëra jetë të humbura të rusëve, mund të zemërojnë Putinin dhe t’i ndryshojnë këndvështrimin për atë që mund të konsiderohet fitore.
“Analistët tanë vlerësojnë se Putin ka pak mundësi të ndalet nga pengesat në fushëbetejë. Në të kundërtën, ai mund të përshkallëzojë situatën”, ka thënë Haines.
Ajo ka thënë se Shtetet e Bashkuara besojnë që Moska ka nënvlerësuar aftësinë e Ukrainës për t’u përballur me sulmet dhe se mbetet e paqartë nëse Putin synon të kontrollojë gjithë Ukrainën. Nëse kjo qëndron, atëherë, sipas SHBA-së, atij do t’i duhet të angazhojë forca shtesë, apo të koncentrohet në zona më të vogla.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës nisi më 24 shkurt, në orët e para të mëngjesit, Kur Putin urdhëroi një “operacion special” për të për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë vendosën sanksione të ashpra ekonomike dhe politike për Moskën, në përpjekje për të ndaluar luftimet. Perëndimi e ka theksuar se nuk do përfshihet ushtarakisht në këtë konflikt, duke vazhduar me ashpërsimin e sanksioneve.