“Shisja drogë në Itali, çoja dhe armë në Kosovë”, Leka tregon bisedën me Olldashin kur ishte ministër

Kantautori Gjergj Leka ka treguar mbrëmjen e djeshme një bisedë që ka bërë me mikun e tij të ndjerë, politikanin Sokol Olldashi. Ky i fundit, kur ishte bërë ministër, i kishte treguar Gjergj Lekës se çfarë letrash kishin shkruar miqtë për të. Duke treguar brendësinë e tyre, Leka thotë se ky vend nuk bëhet.
“Jam i bindur që nëse do gaboja edhe më pak se Elsa Lila, mua do më copëtonin. Sepse i kam ndjerë në kurriz. Kur kam ardhur këtu Sokol Olldashi ishte ministër edhe më tha: ta dish ça letrash kanë ardhur këtu për ty, ti se beson. Unë shisja drogë në Itali, kisha çuar armë në Kosovë në kohën e luftës. Janë shokë të tu tha!
Ne prandaj nuk ecim përpara, sepse ne nuk duam njëri-tjetrin. Kam pasur probleme me televizionet ku kam qenë dikur, ku më thoshin ke dashnoren time merre bëje këngëtare. Unë se bëj dot atë. Preferoj të bëj gjërat që i bëj vetë. Jam i lirë pa paguar asnjë kosto”, ka treguar kantautori Gjergj Leka në emisionin “Arnautistan”.
Duke komentuar arrestimin e këngëtares Elsa Lila në Itali, ai ka treguar dhe një periudhë kur vetë ishte në qendër të mediave.
“Ka qenë një periudhë që u morën gazetat me mua 24 orë në ditë se thashë në kohën time filan këngëtare ka qenë ndër të përkëdhelurat. E mora me sportivitet, mu mërzitën më shumë familjarët. Mbaja mend një shprehje të Pipo Baudos, ruaju ditës që s’do shahesh më, s’do flasin më, sepse do dalësh në pension, sepse do të thotë që s’ta kanë as frikën as nevojën”.