Shqiptarët janë popuj ekstremesh, edhe urrejtjen edhe dashurinë i kanë pa frena

Nga Erl Murati
Shqiptarët janë popuj ekstremesh. Edhe urrejtjen edhe dashurinë i kanë pa frena.
Kjo shprehje m’u kujtua sot kur pashë Kuvendin e Shqipërisë të zbukuruar si Elbasani Ditën e Verës.
Bluza verdheblu çdo deputet.
Pankarta me flamurin ukrainas në tavolinën e secilit deputet.
Fjongo verdheblu ngjitur në xhaketën e çdo deputeti.
Qershia mbi tortë: flamuri ukrainas i integruar në një trup të vetëm me flamurin tonë kombëtar.
Vallë a e dinë profanët që edhe solidariteti e ceremoniali kanë protokoll?
Kuvendi i Shqipërisë po miraton një rezolutë konsensuale pro Ukrainës dhe kundër Rusisë. Është veprim domethënës e kuptimplotë.
Rreshtimi ynë ka qenë i qartë edhe në Këshillin e Sigurimit ntë OKB.
Por, të zbukurosh parlamentin si në ditën e një feste pagane e aq më tepër të integrosh në flamurin tonë, flamurin ukrainas – njësoj siç bëhet me flamurin e Kosovës – kjo është katundarizëm diplomatik, jo solidaritet.
Për kujtesë, Ukraina është vend aspirant i BE dhe NATO që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe interesi i saj kombëtar përputhet pak me tonin.
Nuk jemi ne parterët e parë të Kievit në Ballkan. As të dytët. Janë të tjerë.
E hiç, rroftë Ukraina por m’u kujtua Klaja i cili kur dëgjon lajmet e kronikës së zezë psherëtin: Ne jemi popull ekstremesh, urrejtjen dhe dashurinë i kemi pa frena!