Situatë DRAMATIKE në UKRAINË: Qytete të shkatërruara dhe të rrethuara nga të katërta anët, çfarë pritet të ndodhë në ditën e GJASHTË të luftës

Në ditën e gjashtë të pushtimit rus të Ukrainës, shumë qytete janë zgjuar të rrethuara nga forcat ruse, të tjerë kanë kaluar natën nën tmerrin e bombardimeve të pandërprera.

Sot dhe gjatë natës pritet të jenë orë dramatike për ukrainasit, ndërkohë që forcat ruse po shtyjnë gjithnjë e më tepër për të marrë nën kontroll gjithë vendin. Një autokolonë 60 kilometra e gjatë me tanke, raketa “buk”, logjistikë dhe artileri të tjera të rënda i janë drejtuar Kievit.

Por si është situata në qytetet kryesore?

Në Kiev forcat ukrainase kanë humbur kontrollin e aeroportit rreth 30 kilometra në periferi. Aeroporti konsiderohet një pikë tepër strategjike pasi ka një pistë të gjatë që mundëson uljen e avionëve të mëdhenj transportues.

Në Kharkiv është bombarduar qendra e qytetit, me synimin për të vrarë guvernatorin dhe zyrtarët. Një fëmijë dhe gjashtë civilë raportohet të jenë mes të plagosurve. Të paktën 84 shtëpi janë shkatërruar dhe dyshohet se nën rrënoja ka banorë. Qytetarët kanë mungesë ushqimi dhe ilaçesh.

Qyteza e Volvonakha në rajonin e Donetskut është shkatërruar thuajse plotësisht nga bombardimet ruse.

Lideri separatist i Donetskut ka deklaruar se ditën e sotme do të marrë nën kontroll qytetin e Mariupolit.

Melitopoli është i pushtuar nga forcat ruse. Raportohet se oficerë rusë janë duke kërkuar me lista në duar disa qytetarë.

Të paktën 70 ushtarë ukrainas janë vrarë nga bombardimet në Akhtyrka, në rajonin Sumy.

Në qytetin Borodyanka, raketat ruse kanë rënë mbi një qendër rehabilitimi. Nuk dihet nëse ka viktima apo të lënduar.

Në qytetin Chernihiv, grupe separatiste kanë tentuar të hyjnë të mbështetur nga autoblinda ruse, por janë përballur me ushtarët ukrainas që kanë arritur t’i zmbrapsin.

Forcat ruse kanë arritur të hyjnë dhe të marrin nën kontroll qytetin Kherson.

Një grup anijesh ruse raportohet se gjatë natës ka tentuar të zbarkojë në Odesa, papritur janë tërhequr për arsye që nuk dihen. Sipas gazetave ukrainase, tërheqja ka ardhur për shkak të refuzimit të ushtarëve rusë për të sulmuar qytetin.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT