Trump gjen “zgjidhjen”: SHBA duhet të vendosë flamurin kinez në avionët F-22 dhe të bombardojë Rusinë

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka hedhur një “zgjidhje” interesant për të përfunduar luftën në Ukrainë.
Në një fjalim para donatorëve republikanë të New Orleans, Trump tha se SHBA duhet të vendosë flamurin kinez në avionët F-22 dhe “të bombardojë Rusinë”.
The Washington Post raporton se duke qeshur, ish-Presidenti tha: “Dhe pastaj ne themi, ‘Kina e bëri, nuk e bëmë ne, e bëri Kina’ dhe më pas ata fillojnë të zihen me njëri-tjetrin dhe ne ulemi dhe shikojmë”.
Sipas të përditshmes amerikane, Trump gjithashtu e quajti NATO-n një “tigër letre”, dhe tha se ushtria amerikane kishte fituar “përleshjet” kundër trupave ruse në kohën kur ai ishte president.
Ai pretendoi se ishte më i ashpër ndaj Vladimir Putin se çdo lider tjetër amerikan ndërsa shtoi se presidenti rus nuk do të kishte pushtuar Ukrainën nëse Trump, do të kishte qenë ende në pushtet.
“E njihja shumë mirë Putinin. Ai nuk do ta kishte bërë. Ai nuk do ta kishte bërë kurrë.”– raportohet të ketë thënë Trump.