Vendi mbahet sekret, Rusia pret delegacionin e Ukrainës mbi raundin e dytë të bisedimeve

Delegacioni rus do të mbërrijë në vendin e caktuar për një raund të ri bisedimesh të mërkurën pasdite dhe do të jetë gati për një takim me përfaqësuesit e Ukrainës. Kështu deklaroi para gazetarëve zëdhënësi presidencial rus, Dmitry Peskov.
Në ditën e shtatë të luftimeve, sot parashikohet që të mbahet një takimi i dytë mes delegacionit rus dhe ukrainas. Por ndërsa Kremlini shprehet se do të jenë për një takim me palën që janë në konflikt, Ukraina akoma nuk ka dhënë ndonjë qëndrim konkret se do të jetë pjesë e kësaj përballje të dytë.
“Sot pasdite, në orët e vona të pasdites, delegacioni ynë do të jetë në vend. Do tëpresin negociatorët ukrainas. Delegacioni ynë do të jetë gati të vazhdojë bisedën sonte,” tha Peskov.
Pyetjes sqaruese për vendin e takimit të ri, përfaqësuesi i Kremlinit u përgjigj se nuk do ta zbulonte paraprakisht.
Në përgjithësi, ai vuri në dukje praninë e “një elementi të caktuar informacioni kontravers” në media për vendin e negociatave. Sipas agjencisë shtetërore ruse TASS, një raund i ri negociatash midis delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës do të mbahet në territorin e Bjellorusisë – në Belovezhskaya Pushcha.
Minsitri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba ka deklaruar se Kievi është i gatshëm për raundin e dytë të bisedimeve, por jo përmes ultimatumeve.