Vuçiç kërcënon Kosovën dhe Malin e Zi: Nesër do të marrin përgjigjen, do ketë pasoja afatgjata

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka kërcënuar Kosovën dhe Malin e Zi, pasi thotë se kanë penguar shtetasit serbë të bëhen pjesë e procesit zgjedhor.
Gjatë një deklarate në një fushatë zgjedhore, Vuçiç është shprehur se “përgjigjen” ndaj Kosovës dhe Malit të Zi do ta japë nesër Këshilli i Sigurisë së Serbisë, që pritet të mblidhet në orën 12:00.
“Sot qeveria malazeze ka ndaluar votimet në Berane dhe vende të caktuara për zgjedhjet tona, qeveria Kurti ka kërkuar ta pranojmë pavarësinë e Kosovës për të organizuar zgjedhjet. Nesër Mali i Zi dhe Kosova do të marrin përgjigje e njerëzve seriozë dhe përgjegjës, por do të jetë me pasoja afatgjata,” u shpreh Vuçiç.
Vuçiç ka paralajmëruar edhe mundësinë e përhapjes së konfliktit në zona të tjera.
“Duhet të japim çdo gjë nga vetja, që njerëz të papërgjegjshëm mos të na shtyjnë në diçka të tillë,” tha ai teksa shtoi se Serbia nuk ka në plan të bëhet pjesë e aleancës së NATO-s.