Zelensky: Koha të bisedojmë për paqen! Këshilltari i tij zbulon se kur merr fund lufta

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje për paqe dhe bisedime të sigurisë “pa vonesa” me Moskën.
Ai tha se ky është shansi i vetëm për Rusinë që të zvogëlojë dëmin për gabimin e saj në pushtimin e Ukrainës. “Ky është shansi i vetëm për Rusinë për të zvogëluar dëmin nga gabimi i saj”, tha Zelensky në një video të postuar.
“është koha të takohemi, është koha të bisedojmë, është koha për të rivendosur integritetin territorial dhe drejtësinë për Ukrainën. Përndryshe, humbjet e Rusisë do të jenë të tilla që do t’iu duhen breza për t’u rikuperuar”, shtoi presidenti ukrainas.
Këto komente ai i bëri teksa Rusia tha se ushtarët e saj kanë hyrë në qendër të qytetit të rrethuar ukrainas, Mariupol. Përderisa luftimet e ashpra po vazhdojnë në mbarë vendin që prej se Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, të dy palët po mbajnë negociata online, por ende nuk është organizuar ndonjë takim midis dy presidentëve të shtetit.
Por, deri më tani raundet e bisedimeve kanë ofruar pak përparim dhe të dy palët fajësojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit për evakuimin e civilëve. Sipas zyrtarëve amerikanë të mbrojtjes, ofensiva ruse në masë të madhe ka ngecur dhe trupat ruse.
Një nga këshilltarët e presidencës ukrainase, Oleksiy Arestovych thotë se disfata e Rusisë është shumë afër, duke shtuar se deri në fund të prillit lufta do të ketë mbaruar.
“Faza aktive pothuajse ka përfunduar pranë Kievit, Kharkiv, Sumy dhe Chernihiv. Edhe nëse rusët shtojnë disa rezerva diku apo përpiqen të shkojnë në ofensivë, përsëri do të përfundojë me disfatën e tyre. Fundi është këtu, ata humbën, strategjikisht dhe shpejt. Mendoj se në mes ose në fund të prillit, banorët e Kievit që janë larguar do të mund të kthehen në shtëpi”, shkruan Arestovych.
Tashmë Ukraina ka hyrë në javën e 4 të pushtimit rus, dhe që nga 24 shkurti më shumë se 3.2 milionë njerëz kanë lënë Ukrainën dhe 12 milionë të tjerë janë bllokuar në zonat e bombarduara rëndë.