“Zhdukja” e Bllakos, reagojnë Kryemadhi dhe Tabaku: Fituat kohë duke thënë se po i kontrollohej shtëpia!

Pas lajmit se policia nuk e ka gjetur në banesën e tij ish-deputetin Alqi Bllako për ta arrestuar, kanë ardhur edhe reagimet e Monika Kryemadhit dhe Jorida Tabakut.
Kryetarja e LSI-së qytetarët presin drejtësi, teksa pyet se kush i ka sponsorizuar lajmet që dolën në disa media se ish-deputeti ishte arrestuar. Sipas saj, këto lajme janë bërë me qëllim që të fitohej kohë për arratisjen e tij.
“Qytetarët presin drejtësi, jo regji me qeveritarë në arrati!
Një pyetje kam për mediat që presin tani vonë arrestimin e deputetit të inceneratorëve: Kush i sponsorizoi sot gjatë ditës lajmet e rreme se arrestimi i Bllakos kishte ndodhur, se po kontrollohej shtëpia e tij, apo ishin të nevojshme që të fitohej kohë për arratisjen?
As udhëtimet në Maltë, Dubai, Singapor apo gjetkë nuk zgjidhin dot gjë tashmë për grupin e strukturuar të inceneratorëve. Bëni gjumin e qetë, se nuk keni parë gjë akoma”, shkruan Kryamdhi.
Ndërkohë, deputetja demokrate Jorida Tabaku kërkon që të përgjigjen para ligjit të gjithë ata që penguan arrestimin e Alqi Bllakos që nga momenti i njoftimit të SPAK deri në momentin e përgjigjes së Kuvendit për mandatin e tij.
“Kush e pengoi arrestimin e Alqi Bllakos nga momenti i njoftimit publik të SPAK, datë 29.03.2022, ora 11:30 deri në momentin e përgjigjes së Kuvendit, datë 30.03.2022, ora 22:30, duke refuzuar mbledhjen e menjëhershme të Këshillit për Mandatet, për rrjedhojë dhënien e autorizimit për SPAK? Kushdo qoftë do të duhet të përgjigjet përpara ligjit”, shkruan Tabaku.