Zyrtarët rus pa koordinim/ Mospërputhja mes deklaratave për bombardimin e maternitetit në Ukrainë

Rusia të enjten ndryshoi qëndrimin e saj lidhur me bombardimin e një spitali ukrainas në qytetin e Mariupolit, me një përzierje deklaratash që kalonin midis mohimeve agresive dhe thirrjes së Kremlinit për të vërtetuar fakte të qarta.
Presidenti ukrainas Volodymr Zelenskiy tha se tre persona duke përfshirë një fëmijë ishin vrarë në bombardimin të mërkurën dhe hodhi poshtë pohimet ruse se spitali nuk kishte pacientë.
“Si gjithmonë, ata gënjejnë me besim”, tha Zelenskiy, i cili ka akuzuar Moskën për gjenocid në luftën që nisi dy javë më parë.
Përballë dënimit mbarëbotëror, pati shenja të rralla mospërputhjeje në përgjigjen e zyrtarëve rusë, të cilët që nga fillimi i pushtimit të Moskës më 24 shkurt, kanë qëndruar fort pas të njëjtit narrativë, për atë që Rusia e quan operacionin e saj special ushtarak në Ukrainë.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, i kërkuar për koment menjëherë pas sulmit, i tha Reuters : “Forcat ruse nuk qëllojnë mbi objektivat civile”. Të enjten ai tha se Kremlini do të shqyrtojë incidentin.
“Ne patjetër do të pyesim ushtrinë tonë, sepse ju dhe unë nuk kemi informacion të qartë se çfarë ndodhi atje,” u tha Peskov gazetarëve. “Dhe ushtria ka shumë të ngjarë të japë disa informacione.”
Zyrtarë të tjerë rusë morën një linjë më agresive, duke hedhur poshtë bombardimin e spitalit si lajm të rremë.
“Ky është terrorizëm informacioni,” tha zëdhënësja e ministrisë së jashtme Maria Zakharova.
Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov sulmoi atë që ai e quajti “bërtitje patetike për të ashtuquajturat mizori nga forcat e armatosura ruse”.
Ai u tha gazetarëve pas takimit me ministrin e Jashtëm të Ukrainës në Turqi, se ndërtesa e spitalit kishte qenë për ditë nën kontrollin e forcave ultra-radikale ukrainase që kishin boshatisur mjekët dhe pacientët – versioni i hedhur poshtë nga Zelenskiy si gënjeshtër.
Moska thotë se po kryen një operacion të posaçëm ushtarak për të çmilitarizuar dhe “denazifikuar” Ukrainën. Kievi dhe Perëndimi i hedhin poshtë këto si pretekste të rreme për një pushtim të një vendi demokratik me 44 milionë banorë.