56 ditë luftë/ Moska ‘fokusohet’ në Donbass. Në Mariupoli shumë civilë janë bllokuar në fabrikën Azovstal të rrethuar nga rusët

Dita e pesëdhjetë e gjashtë e luftës në Ukrainë. Moska i fokuson veprimet e saj në Donbass dhe veçanërisht në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol. Forcat e armatosura ruse urdhëruan trupat në fabrikën e çelikut të dorëzoheshin. Ushtria ukrainase u bën thirrje aleatëve: “Këto janë orët tona të fundit, na ndihmoni”, raporton Tgcom24.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e quajti Rusinë “burimin e së keqes”. Ndërkohë, Pentagoni ka bërë të ditur se Ukraina ka marrë luftarakë dhe pjesë këmbimi për të përforcuar aviacionin e saj dhe sipas “New York Times”, presidenti amerikan Joe Biden së shpejti do të shpallë një paketë të re ndihme ushtarake prej 800 milionë dollarësh.

Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit thotë se ka shumë civilë të bllokuar në fabrikën e Azovstal, e cila është rrethuar nga forcat ruse.

Rusia iu ka dhënë një afat të ri prej orës 11:00 GMT (sot) trupave ukrainase në Mariupol për t’u dorëzuar, por Ukraina është zotuar të vazhdojë të mbrojë qytetin port. Luftëtarët e mbështetur nga Rusia thuhet se po përpiqen të sulmojnë fabrikën e çelikut Azovstal ku thuhet se po qëndrojnë trupat dhe civilët ukrainas.

“Unë mund të konfirmoj se ka shumë civilë,” tha Sergei Orlov për Newsday të BBC-së.

“Janë kryesisht qytetarë të ndërtesave më të afërta të shkatërruara dhe shumë punëtorë të fabrikave të çelikut. Ata e dinë që fabrikat e çelikut kishin një strehë të mirë për bomba dhe disa ushqime dhe ujë të rezervuar në strehën e bombave. Kjo është arsyeja pse ata vendosën me familjet e tyre të jetonin në këtë strehë për bomba.”, thotë ai.

Pas dështimit për të pushtuar Kievin dhe qytete të tjera të mëdha dhe strategjike në luftën e saj gati tetë-javore, Moska tani thotë se qëllimi i saj është të pushtojë në tërësi provincat Donetsk dhe Luhansk, të cilat kanë qenë në fokus të separatistëve të mbështetur nga Rusia që nga viti 2014.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT