Albin Kurti tregon për gazetën greke nëse mund të bashkohet Shqipëria me Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar për gazetën greke Kathimerini situatën e brishtë gjeopolitike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të rrezikuar pas agresionit rus në Ukrainë.
Ndër të tjera, Kurti u pyet edhe për bashkimin mes Shqipërisë dhe Kosovës, përmes një referendumi. Ja si iu përgjigj ai gazetares greke.
Kathimerini: Po flisni për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën dhe a mendoni se kjo do të jetë “OK” për serbët e Kosovës?
Albin Kurti: Në këtë mandat jam zgjedhur me një program të bazuar në punë dhe drejtësi. Të gjithë serbët në Kosovë duan punë dhe drejtësi. Ne luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin si askush tjetër. Kemi arrestuar 270 personalitete për korrupsion këtë vit.
Prandaj janë rritur të ardhurat nga taksat, sepse kush e sheh se paratë nuk vidhen, paguan. Të gjithëve u pëlqen kjo, unë nuk jam vetëm kryeministri shqiptar, jam kryeministër i të gjithëve. Kushtetuta jonë nuk lejon bashkimin me vendet e tjera dhe është e vështirë të ndryshohet.
Kathimerini: Atëherë pse bëni deklarata për referendume?
Albin Kurti: Kosova dhe Shqipëria janë një popull i ndarë në dy shtete, nuk mund të harrojmë se kufiri mes nesh është vendosur nga Serbia dhe Jugosllavia, nuk është i yni. Kur Serbia sulmon Kosovën, ne reagojmë si popull shqiptar.