Analisti zbulon se kush e ka në dorë “armën” më të madhe në Shqipëri: Drejtësia ka marrë fund nëse pret lista nga SHBA

I ftuar në MCN TV, analisti Mentor Kikia u ndal te thirrjet e Ramës dhe Bashës për hetimin nga SPAK të Sali Berishës, duke u shprehur se Prokuroria nuk duhet të pres listën e DASH për të nisur hetime ndaj politikanëve.
“SPAK-u s’është strukturë përmbaruese, që duhet të presë të merren vendime nga SHBA për t’u hedhur në veprim. Ka hapësirën ligjore për të hapur hetime ndaj gjithkujt që ka indicie. Vendimi nga SHBA është një lloj embargo edhe politike dhe s’duhet parë si dosje penale. SPAK-u nëse do kishte pasur indicie për hetime ndaj Berishës duhet ta kishte bërë me kohë.
Do ta quaja dobësi nëse SPAK-u do priste që politikanët të marrin goditje nga SHBA dhe më pas të marrë vendime. Nëse do presim të na vijnë listat nga SHBA, drejtësia ka marrë fund. Prokuroria ka në dorë armën më të madhe që ka pasur një strukturë, dhe detyrimin moral. T’i japë shansin shqiptarëve të besojnë te ajo. Nëse do prekë të paprekshmin, qytetarët do t’i ketë si mbështetje”.
Sa i takon të ardhmes së Berishës në politikë, Kikia tha: “Ambasada në Tiranë është qartë, prerë dhe publikisht, për ta penguar Berishën në këtë karrierë. Ai do marrë drejtimin e partisë dhe kjo s’ka dyshim. Mbetet për t’u parë egoja e tij për të shkuar në zyrën e kryeministrit, ku rruga do jetë edhe më e vështirë”